Lifestyle

5 këshilla për jetë të gjatë dhe të shëndetshme

Shëndeti dhe jetëgjatësia

Shëndeti dhe jetëgjatësia

Shumica e njerëzve kanë qejf të plaken mirë, të ruajnë shëndetin fizik dhe mendor edhe në të 80-at, 90-at apo 100-at. Sigurisht, gjenet luajnë rol. Por edhe nëse nuk dikush nuk ka fituar “lotarinë gjenetike”, mënyra e jetesës mund ta rrisë dukshëm shansin për plakje të shëndetshme.

Këtë vit, shkencëtarët dhe njerëz të njohur si “super pleqtë”, persona mbi 80 vjeç me kujtesë dhe aftësi mendore sa një 20 apo 30-vjeçar, ndanë disa mësime të vlefshme për jetën e gjatë, ka shkruar The Washington Post.

1. Ushqehu thjeshtë dhe me mend

Marion Nestle, 89 vjeçe dhe një nga ekspertet më të njohura të ushqimit, ka thënë se i qëndron besnike motos së Michael Pollanit, i cili thotë: “Hani ushqim të vërtetë, jo shumë, kryesisht bimor”.

“Kur them ushqim, e kam fjalën për ushqim të papërpunuar ose sa më pak të përpunuar. Jo ushqim ultra të përpunuar. Unë ha gjithçka, por në sasi të vogla. Me moshën, metabolizmi bie dhe unë nuk kam më shumë metabolizëm për të shpenzuar”, ka thënë Nestle.

Maria Branyas Morera, e cila ka jetuar deri në 117 vjeç, ka ndjekur dietë tipike mesdhetare.

“Ajo hante shumë lehtë. Shumë peshk, vaj ulliri dhe fruta. Në 10 vitet e fundit të jetës hante çdo ditë tre tasa kos të thjeshtë”, ka thënë shkencëtari Manel Esteller.

2. Ji i rregullt me aktivitetin fizik

Emma Maria Mazzenga është 92 vjeçe dhe mban disa rekorde botërore në vrapim për moshën e saj. Ajo vrapon dy ose tre herë në javë dhe ecën ditët e tjera.

Këshilla e saj është e thjeshtë: njih kufijtë e trupit, këshillohu me mjekun dhe qëndro i rregullt.

Jeannie Rice, 77 vjeçe, ka thyer rekorde botërore në maratonë dhe ka formë fizike sa një 25-vjeçare. Ajo vrapon rreth 80-120 kilometra në javë dhe dhe bën ushtrime me peshëngritje tri herë në javë.

“Është provë që nuk është kurrë vonë për të nisur të ushtrohesh”, ka thënë profesori Bas Van Hooren.

Kardiologu Eric Topol shton se ushtrimet fizike janë e vetmja ndërhyrje që ka treguar se ngadalëson procesin e plakjes.

“Ecja, biçikleta, noti, çfarëdo që ju pëlqen, të paktën 30 minuta në ditë. Dhe ushtrimet me pesha janë jashtëzakonisht të rëndësishme për plakje të shëndetshme”, ka thënë ai.

3. Rri i lidhur me njerëzit dhe shijo jetën

Studimet tregojnë se izolimi shoqëror rrit rrezikun për demencë, ndërsa lidhjet e forta sociale ndihmojnë shëndetin e trurit.

Maria Morera socializohej me banorët e tjerë dhe priste vizitorë. Jeannie Rice, përveç vrapimit, shkon edhe të kërcejë.

“Shumë vrapues janë tepër seriozë. Unë dua të argëtohem. Jam e fundit që largohem nga festa,” thotë ajo.

“Një jetë e mirë nuk varet nga momentet e mëdha, por nga sa shpesh përjetojmë gjëra të vogla pozitive. Këto duhet të bëhen zakon”, ka shpjeguar profesori Nicholas Epley.

4. Mos u dorëzo pas vështirësive

Plakja nuk është domosdoshmërisht rrugë vetëm drejt përkeqësimit. Studimet kanë treguar se edhe pas problemeve shëndetësore, shumë njerëz mbi 60 vjeç mund të rikthehen në formë.

Florene Shuber kishte filluar të rrëzohej shpesh në moshën 82-vjeçare.

“Isha shumë e frikësuar dhe e kuptova që duhej të bëja diçka”, ka treguar ajo. Filloi të stërvitej rregullisht në palestër. Sot, në moshën 91-vjeçare, ajo ka thënë se ndihet më e fortë se një dekadë më parë.

“Mund të përmirësohesh, por duhet punë dhe qëndrueshmëri”, ka thënë ajo.

5. Mbaj qëndrim pozitiv

Si Liberman është 101 vjeç dhe ka kaluar sëmundje, aksidente dhe luftë.

Megjithatë, ai beson se qëndrimi pozitiv ka qenë vendimtar për të.

“Nuk kam qenë kurrë keq me disponim. Nëse jam keq, mendoj se do të kalojë. Gjithmonë kam besuar se ditë më të mira do të vijnë. Qëndrimi pozitiv është shumë i nënvlerësuar, por jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë ai.