Mjekët në SHBA po shprehin shqetësim serioz për rikthimin e tetanusit, infeksionit bakterial potencialisht vdekjeprurës, pasi normat e vaksinimit janë në rënie dhe fatkeqësitë natyrore të lidhura me ndryshimet klimatike po shtohen, ka raportuar NBC News.
Tetanusi, shkakton spazma të forta muskulore që mund ta bëjnë të pamundur frymëmarrjen. Një nga shenjat më të frikshme është e ashtuquajtura “buzëqeshja e djallit”, kur muskujt e fytyrës shtrëngohen në mënyrë të pakontrollueshme.
“Duket tmerrshëm. Është një pamje që nuk ia dëshiron asnjë pacienti”, ka thënë doktori Mobeen Rathore, shef i sëmundjeve infektive pediatrike në Universitetin e Floridës.
Pas suksesit të madh të vaksinës që nga vitet ‘40, rastet e tetanusit në SHBA kishin rënë në vetëm 15-28 në vit. Por shifrat po rriten. Në vitin 2024 u regjistruan 32 raste, ndërsa këtë vit janë konfirmuar të paktën 37 raste, më shumë se në çdo vit të dekadës së fundit.
Hulumtimi që kanë bërë NBC News dhe Universitetit Stanford tregon se në më shumë se 75 për qind të qarqeve amerikane ka rënie të vaksinimit të fëmijëve me vaksinën DTaP (difteria, tetanusi dhe pertusisi). Vaksina e parë jepet që në moshën dymuajshe.
Edhe pse tetanusi nuk është sëmundje ngjitëse, mjekët paralajmërojnë se rënia e vaksinimit lë gjithnjë e më shumë njerëz të pambrojtur.
“Vetëm një rritje e vogël e rasteve është alarmante. Trajtimi është i gjatë, i dhimbshëm dhe jashtëzakonisht i shtrenjtë”, ka thënë Rathore.
Një rast i vitit 2019 në Oregon, ku një djalë 6-vjeçar i pavaksinuar u infektua me tetanus, i kushtoi sistemit shëndetësor afro një milion dollarë.
“Nuk është çështje qindarkash kundrejt dollarëve. Janë qindarka kundrejt qindra mijëra dollarëve”, ka shpjeguar Rathore.
Rreziku rritet edhe më shumë gjatë fatkeqësive natyrore, si uraganet, përmbytjet dhe tornadot, kur njerëzit plagosen nga gozhdë apo mbetje metali në rrënoja. Shtete si Florida, Teksasi dhe Kansasi, të prekura shpesh nga moti ekstrem, po shënojnë rënie të ndjeshme të vaksinimit.
“Me ngrohjen globale po rritet numri dhe intensiteti i ngjarjeve ekstreme. Nëse këto ndodhin në komunitete me vaksinim të ulët, rreziku i tetanusit rritet ndjeshëm”, ka thënë epidemiologia Kristie Ebi nga Universiteti i Uashingtonit.
Rastet nuk prekin vetëm fëmijët.
Nikki Arellano, 42 vjeçe nga Nevada, u diagnostikua me tetanus pasi kishte kaluar më shumë se 10 vjet pa bërë dozën përforcuese. Një prerje e vogël në këmbë u pasua nga nofulla e bllokuar dhe spazma të dhimbshme në gjithë trupin.
“Ishte shumë e frikshme. Trupi më shtrëngohej aq fort sa më dukej sikur do të më ndalej fryma”, ka thënë ajo.
Ekspertët theksojnë se tetanusi është pothuajse plotësisht i parandalueshëm me vaksinë.
“Nëse sheh një rast tetanusi në SHBA, është turp. Nuk ka asnjë arsye që kjo sëmundje të ekzistojë ende”, ka thënë John Johnson nga Doctors Without Borders.
Rathore paralajmëron për atë që e quan “epoka pas vaksinimit”.
“Është e dhimbshme ta thuash, por në fund, fëmijët janë ata që do të vuajnë më shumë”, ka thënë ai.