Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Çka ndodh nëse pini verë çdo ditë?

Verërat

Verërat

Prodhimi i verës është traditë mijëravjeçare, që daton që prej 6000 vjetësh para erës sonë. Sot, vera prodhohet dhe konsumohet në pothuajse çdo pjesë të botës, me kultura dhe tradita të ndryshme.

Por kjo pije ka qenë gjithmonë në qendër të debatit për shëndetin, ka shkruar AOL.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fillim të vitit 2025, autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan për lidhjen mes alkoolit dhe të paktën shtatë llojeve të kancerit, përfshirë kancerin e gjirit, të mëlçisë, të zorrës së trashë dhe të ezofagut. Më pas, udhëzimet u zbutën, duke krijuar konfuzion te konsumatorët.

Zyrtari shëndetësor Mehmet Oz e ka përshkruar alkoolin si “lubrifikues social që i afron njerëzit me njëri-tjetrin” dhe ka shtuar se “ndoshta nuk ka asgjë më të shëndetshme sesa të kalosh mirë me miqtë”.

Pra, çka duhet ditur më konkretisht për verën?

A është e shëndetshme të pini verë çdo ditë?

Ekspertët thonë se, edhe pse vera në sasi të moderuar mund të jetë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, ajo nuk është “pije e shëndetshme”.

“Prej dekadash janë bërë pretendime se një gotë verë në ditë është e mirë për zemrën. Megjithatë, këto pretendime duhen parë me kujdes”, ka thënë Michelle Routhenstein, dietologe për shëndetin e zemrës.

Është e vërtetë që vera përmban polifenole, përbërës me veti antioksiduese dhe kundër inflamacionit.

“Resveratroli, që gjendet në lëkurën e rrushit të kuq, është studiuar për rolin e tij të mundshëm në uljen e nivelit të yndyrës së pashëndetshme në gjak dhe parandalimin e mpiksjes së gjakut”, ka shpjeguar ajo.

Por kjo nuk do të thotë se vera është mënyra më e mirë për t’i marrë këto përfitime.

“Deri tani nuk ka prova që tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumit të alkoolit dhe përmirësimit të shëndetit të zemrës. Ajo që duhet theksuar është se të gjitha pijet alkoolike, përfshirë verën, lidhen me rrezik për kancer”, ka thënë dietologia Kailey Proctor.

Rreziqet që nuk duhen injoruar

Ani pse antioksidantët mund të kenë disa përfitime, ata nuk e neutralizojnë dëmin që mund të shkaktojë alkooli.

Konsumimi i tepërt lidhet me probleme serioze si sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri.

“Kur pini alkool, trupi e shndërron atë në një substancë të quajtur acetaldehid, që klasifikohet si kancerogjen. Acetaldehidi mund të dëmtojë ADN-në dhe të kontribuojë në formimin e tumoreve, si dhe në dëmtimin e qelizave dhe mëlçisë”, ka shpjeguar Proctor.

Sa verë është “në rregull”?

Sipas udhëzimeve, konsum i moderuar konsiderohet deri në dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë (një gotë verë = rreth 150 ml).

Por ekspertët theksojnë se “nuk ekziston një sasi e sigurt e përcaktuar shkencërisht për alkoolin”.

Edhe konsumimi i moderuar në mënyrë të vazhdueshme mund të ndikojë në peshë, zemër dhe funksionin e mëlçisë.

“Konsumimi i rregullt mund të çojë në tolerancë, varësi dhe probleme me mëlçinë me kalimin e kohës”, ka thënë Routhenstein.

Në thelb, Proctor ka shtuar se sa më pak të pini, aq më mirë për shëndetin, kurse të mos pini fare është opsioni më i mirë.

A duhet ta hiqni verën plotësisht nga përdorimi?

Jo domosdoshmërisht.

“Një gotë verë një ose dy herë në javë nuk ka gjasa të shkaktojë dëm, por nuk duhet të mbështeteni te vera për përfitime shëndetësore”, ka thënë Routhenstein.

Sipas të dhënave, edhe më pak se një pije në javë lidhet me 16 për qind rritje të rrezikut për kancer gjiri te gratë dhe 10 për qind rrezik më të lartë për kancer te burrat.

Sipas ekspertëve, të pish verë për kënaqësi është një gjë, por ta konsiderosh si “ilaç” për shëndetin është gabim.

Nëse kërkoni përfitimet e antioksidantëve, është më mirë t’i merrni direkt nga ushqimi.

Rrushi përmban të njëjtit përbërës të dobishëm, pa rreziqet që sjell alkooli.