Lifestyle

Dieta që ul rrezikun nga sëmundja e Alzheimerit

ushqimet e shendetshme

Ushqimet e shëndetshme

Njerëzit që ndjekin dietën MIND, madje edhe nëse e fillojnë atë më vonë në jetë, kanë shumë më pak gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit ose forma të tjera të demencës, sipas një studimi të ri, ka raportuar CBS News.

Çfarë është dieta MIND?

Dieta MIND vjen nga anglishtja “Mediterranean-DASH Intervention for Neurodegenerative Delay”, që do të thotë një ndërthurje mes dietës mesdhetare dhe dietës DASH (Dietary Approaches to Stop Hypertension – dietë që parandalon hipertensionin).

Kjo dietë thekson ushqimet që janë të mira për trurin si:

Perimet me gjethe të gjelbra (si spinaqi, sallata, brokoli)

Frutat e malit (si boronicat)

Arrat

Vaji i ullirit

Çfarë tregoi studimi?

Studimi, i paraqitur të hënën në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqyerje, ka analizuar të dhënat nga afro 93,000 të rritur amerikanë të moshës 45 deri në 75 vjeç, që nga vitet 1990.

Rezultatet kanë treguar se njerëzit që ndiqnin dietën MIND kishin 9 për qind më pak rrezik për të zhvilluar demencë krahasuar me ata që nuk e ndiqnin këtë dietë.

Njerëzit që përmirësuan mënyrën e tyre të të ushqyerit me kalimin e viteve kishin 25 për qind më pak rrezik për të zhvilluar demencë, edhe nëse nuk kishin filluar mirë që në fillim.

“Zbulimet tona e konfirmojnë se modelet e shëndetshme ushqimore, edhe në moshën e mesme apo të vonë, dhe përmirësimi i tyre me kalimin e kohës mund të ndihmojnë në parandalimin e Alzheimerit dhe demencës. Kjo tregon se nuk është kurrë vonë për të filluar një dietë të shëndetshme për të parandaluar demencën”, ka thënë Song-Yi Park, profesoreshë në Universitetin e Hawaiit në Manoa.

Sipas Shoqatës së Alzheimerit, rreth 7.2 milionë amerikanë po jetojnë me këtë sëmundje, e cila është forma më e zakonshme e demencës.

Edhe studimet e mëhershme e mbështesin këtë ide

Një studim i vitit 2023, i botuar në revistën mjekësore Neurology, pati treguar se njerëzit që ndjekin dietën Mesdhetare ose MIND mund të kenë më pak shenja të Alzheimerit në tru.

“Edhe pse kërkimi ynë nuk dëshmon drejtpërdrejt që një dietë e shëndetshme i redukton pllakat e amiloide në tru, që njihen si një nga shenjat kryesore të Alzheimerit, ne e dimë që ekziston një lidhje”, ka thënë Puja Agarwal, autore e studimit dhe profesoreshë në Universitetin Rush në Çikago.

Perimet jeshile, mburoja e trurit

Sipas studiuesve, perimet me gjethe të gjelbra ishin ndër ushqimet më të dobishme në këtë dietë.

“Njerëzit që konsumonin më së shumti perime jeshile, ose më shumë se shtatë racione në javë, kishin në tru një sasi të pllakatave që u korrespondonte të ishin pothuajse 19 vjet më të rinj sesa ata që hanin më pak se një racion në javë”, kanë deklaruar studiuesit në njoftimin e tyre.