Lifestyle

Gjithnjë e më shumë njerëz vuajnë nga kemofobia, frika ndaj kimikateve

Kemofobia

Nëse keni menduar ndonjëherë “duhet të blej pjeshkë organike”, “duhet të përdor vetëm produkte bukurie ‘të pastra’” apo “duhet të zgjedh detergjent ‘jo toksik’”, atëherë ndoshta jeni futur në grackën e kemofobisë, frika apo mosbesimi ndaj kimikateve, që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme.

Kemofobia shfaqet në shumë aspekte: që nga sapunët “pa kimikate” dhe deodorantët “natyralë”, deri te dyshimet për vaksinat apo “demonizimi” i vajrave bimore, ka shkruar HuffPost.

“Gjithçka nisi nga e majta politike, nga keqkuptimi i dallimit mes aksidenteve industriale dhe kimikateve në përgjithësi”, ka shpjeguar imunologia dhe mikrobiologia Andrea Love, themeluese e organizatës “Immunologic”.

Sipas Timothy Caulfield, bashkëthemelues i “ScienceUpFirst” kjo fillimisht ka filluar si lloj qëndrimi kundër forcave të tregut.

“Fillimisht kjo u pa si një kundër-kulturë, një qëndrim kundër forcave të tregut. Por tani po e shohim të zhvendoset djathtas, dhe sot zërat më të fortë janë atje”, ka thënë ai.

Caulfield ka përmendur emra si Casey Means dhe Robert F. Kennedy Jr., të cilët e përdorin kemofobinë për të fituar mbështetje.

“Në të djathtën shfaqet si mosbesim ndaj vaksinave dhe barnave të studiuara, duke promovuar ndërhyrje ‘natyrale’ që nuk kanë asnjë mbikëqyrje. Ndërsa në të majtën lidhet me frikën nga ekspozimet toksike dhe narrativën e ‘pastërtisë organike’”, ka shtuar Love.

“Gjithçka është kimikate”

Një nga mitet kryesore të kemofobisë është se kimikatet sintetike janë gjithmonë të këqija, ndërsa substancat natyrore janë gjithmonë të mira.

“E para, gjithçka është kimikate. Trupi juaj është një qese kimikatesh. Nuk do të ekzistonit pa to”, ka thënë Love.

Ajo thekson se trupi nuk dallon nëse vitamina C vjen nga limoni apo është prodhuar në laborator.

“Trupi kujdeset vetëm për strukturën kimike dhe dozën që merrni, jo për burimin”, ka thënë ajo.

Shtrembërmi i të kaluarës

Sipas Love, kemofobia lindi nga “fallacia e natyrës”, besimi i gabuar se substancat natyrore janë gjithmonë të sigurta dhe superiore.

Fallacia natyrore” është gabim në të menduar kur njerëzit thonë se diçka është e mirë vetëm pse është “natyrale”, ose e keqe vetëm pse është “jo natyrale”. Me fjalë tjera, e ngatërrojnë fjalën “është” me “duhet”.

“Në thelb është një shtrembërim i jetës në lashtësi, kur në fakt njerëzit vdisnin shumë të rinj dhe shpesh në dhimbje”, ka thënë Love.

Kjo nostalgji shfaqet si te sloganet “Make America Healthy Again” (MAHA), ashtu edhe te “Make America Great Again” (MAGA).

Por faktet historike tregojnë se dikur dy nga tre të rritur vdisnin nga sëmundje kronike dhe jetëgjatësia ishte gati 10 vjet më e shkurtër se sot.

Pse është kaq e fuqishme?

Kemofobia është efektive sepse ngjall frikë dhe ankth. Sipas Love, kjo është frikë irracionale që bie ndesh me vetë jetën, sepse sipas saj, kimia është arsyeja pse gjithçka ekziston.

Dietologia Andrea Hardy ka dhënë një shembull konkret.

“Një influencues mund të thotë ‘fruktoza është e keqe, duhet ta largoni nga dieta’. Një nënë e shqetësuar për fëmijët e saj ndalon jo vetëm pijet e ëmbëlsuara, por edhe frutat. Kjo sjell mungesë të lëndëve ushqyese dhe i mëson fëmijët me mesazhe të rreme, se frutat janë të këqija”, ka thënë ajo.

Caulfield shton se truri i njeriut do shpjegim të thjeshtë, të mirë apo të keq.

“Kjo është arsyeja pse fjalët si ‘pa toksina’, ‘natyral’ apo ‘i pastër’ duken si sinjale të qarta të mirësisë, edhe kur faktet shkencore nuk i mbështesin”, ka thënë ai.

Strategji e suksesshme marketingu

Sot, frika nga kimikatet është bërë mjet marketingu.

Produkte me etiketime si “chemical-free”, “clean beauty”, “non-GMO” dominojnë raftet e dyqaneve.

“Produkte ‘pa kimikate’ nuk ekzistojnë, sepse çdo gjë është kimikate. Por këto slogane krijojnë perceptimin se alternativa që nuk etiketohet si e tillë është e rrezikshme”, ka thënë Love.

Ndërsa Caulfield ka theksuar se nuk është se nuk ka vend për përmirësim në ushqim dhe shëndet publik, por këto lëvizje duhet të bazohen në shkencë, jo në slogane.

Rreziku i vërtetë

Fokusi te një përbërës i vetëm, qoftë vaji i farave, ngjyra ushqimore apo një produkt kozmetike, shpërqendron njerëzit nga problemet reale të shëndetit publik.

“Problemet e vërteta janë pabarazitë në strehim, mungesa e kujdesit shëndetësor kombëtar, çështjet strukturore shoqërore. Nuk janë këto përbërës të veçantë ushqimorë”, ka theksuar Love.

Caulfield ka thënë se kjo frikë do të ketë pasoja serioze.

“Po i bën njerëzit të refuzojnë vaksinat, të mos përdorin krem mbrojtës ndaj diellit nga frika e ‘toksinave’, të heqin dorë nga frutat për shkak të fruktozës. Kjo është e rrezikshme dhe mund të jetë fatale”, ka thënë ai.