Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gjysma e pacientëve me kancer të avancuar të mushkërive në SHBA nuk marrin trajtim

Fotografi ilustruese nga Vartika Sharma, për The New York Times

Fotografi ilustruese nga Vartika Sharma, për The New York Times

Trajtimet e reja kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si trajtohet kanceri i mushkërive, duke u dhënë shumë pacientëve mundësinë të jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete. Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar se më shumë se gjysma e pacientëve me kancer metastatik të mushkërive nuk marrin trajtime që mund t’ua zgjasin jetën, ka raportuar The New York Times.

Studimi, i publikuar në JAMA Oncology, ka analizuar më shumë se 250 mijë pacientë të mbuluar nga Medicare në periudhën 2006-2021, me moshë mesatare 73 vjeç. Studiuesit zbuluan se përqindja e pacientëve që morën trajtime si kimioterapia, imunoterapia dhe terapitë e tjera u rrit vetëm pak, nga 45 për qind në 48 për qind.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kanceri i mushkërive mbetet kanceri më vdekjeprurës në SHBA dhe çdo vit më shumë se 110 mijë amerikanë diagnostikohen me formë metastatike të sëmundjes. Por, sipas ekspertëve, situata ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 15 vjetëve të fundit falë ilaçeve të reja.

“Për disa pacientë, një pilulë mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll për vite të tëra, prandaj fakti që kaq shumë të moshuar nuk po marrin trajtim është vërtet tronditës”, ka thënë doktoresha Carolyn J. Presley, shefe e onkologjisë torakale në “Ohio State University”.

Pse pacientët nuk po trajtohen?

Një nga pengesat më të mëdha është diagnostikimi i vonshëm. Kanceri i mushkërive shpesh nuk jep simptoma derisa të jetë përhapur në pjesë të tjera të trupit, sepse mushkëritë kanë shumë pak receptorë dhimbjeje.

Kontrollet parandaluese mund ta zbulojnë sëmundjen herët, por ato përdoren ende shumë pak. Sipas ekspertëve, shumë njerëz nuk e dinë që ekzistojnë këto kontrolle, ndërsa kriteret për t’u kualifikuar janë shpesh të ndërlikuara.

Doktori Kyle Concannon nga “University of Colorado Anschutz” ka treguar se pacientët shpesh humbin kohë edhe duke pritur analiza të tjera, biopsi apo termine te specialistët.

Studimi ka zbuluar se rreth 40 për qind e pacientëve vdisnin brenda tre muajve nga diagnostikimi. Sipas doktorit Gerard Silvestri nga “Medical University of South Carolina”, shumë prej tyre ishin “shumë të sëmurë për të filluar trajtimin në momentin kur tumori u zbulua”.

Megjithatë, kjo nuk e shpjegon plotësisht problemin.

Studimi ka treguar gjithashtu se një e treta e pacientëve me kancer metastatik të mushkërive nuk u takuan kurrë me një onkolog.

Sipas ekspertëve shumë pacientë përballen me vështirësi financiare, mungesë transporti ose mungesë mbështetjeje për t'u oriantuar në sistemin shëndetësor. Banorët e zonave rurale dhe personat e pamartuar kishin më pak gjasa të merrnin trajtim. Po ashtu, pacientët zezakë dhe hispanikë trajtoheshin më rrallë.

Sipas doktorit Drew Moghanaki, shumë njerëz vazhdojnë ta shohin kancerin metastatik të mushkërive si një sëmundje pa shpresë.

“Disa mjekë të kujdesit parësor ose të urgjencës mund të shohin se sa shumë është përhapur kanceri dhe t’u thonë pacientëve se trajtimi nuk do të ndihmojë”, ka thënë ai.

Një shembull është rasti i Maggie Rush, e cila u diagnostikua me kancer metastatik të mushkërive në vjeshtën e vitit 2024. Mjekët i kishin thënë se kanceri ishte përhapur në shtyllën kurrizore dhe në bark.

Kur shkoi në urgjencë për shkak të dhimbjeve të forta, bashkëshorti i saj, Dave Rush, ka thënë se mjeku i urgjencës e orientoi drejt kujdesit paliativ, duke lënë të kuptohej se trajtimi nuk kishte kuptim.

“Ai dukej sikur mendonte se nuk kishte më asnjë arsye për trajtim”, ka kujtuar bashkëshorti i saj.

Pas kësaj, edhe vetë Maggie filloi të besonte se trajtimi ishte i kotë dhe se do të vdiste brenda pak muajsh.

Sipas doktorit Adam Fox, turpi është një tjetër faktor i rëndësishëm.

Rreth 80 deri në 90 për qind e rasteve të kancerit të mushkërive lidhen me pirjen e duhanit dhe shumë pacientë ndihen fajtorë, sikur e kanë shkaktuar vetë sëmundjen.

“Kjo stigmatizim jo vetëm që ndikon në vonimin e diagnostikimit, por bën që pacientët të ndihen sikur nuk e meritojnë kujdesin shëndetësor”, ka thënë ai.

Revolucioni i trajtimeve të reja

Dikur, opsioni i vetëm për pacientët me kancer metastatik të mushkërive ishte kimioterapia, e cila kishte efekte të rënda dhe zakonisht zgjaste jetën vetëm për disa muaj.

Por sot situata ka ndryshuar. Shumica e pacientëve mund të trajtohen me ilaçe të personalizuara sipas biologjisë së tumorit të tyre.

Imunoterapia ndihmon sistemin imunitar të luftojë kancerin, ndërsa terapitë e synuara bllokojnë mutacionet specifike që shkaktojnë tumorin.

Sipas ekspertëve, edhe pacientët që janë shumë të dobët për kimioterapi mund të përfitojnë nga këto trajtime më të lehta për organizmin.

Moghanaki ka thënë se këto ilaçe shpesh japin rezultate brenda pak javësh dhe në rastet më të mira mund ta mbajnë kancerin në remision për më shumë se një dekadë.

Në rastin e Maggie Rush, analizat treguan se tumori i saj kishte një mutacion RET, gjë që e bëri të përshtatshme për trajtim të ri. Ilaçi nuk e shëroi kancerin, por ia lehtësoi dhimbjet dhe lodhjen.

Falë trajtimit, ajo arriti të kalonte edhe dy Krishtlindje me familjen dhe të shihte martesën e djalit të saj.

Ekspertët theksojnë se çdo pacient me kancer metastatik të mushkërive duhet të ketë mundësinë të takohet me një onkolog.

“Një gjë është kur pacientët bisedojnë me mjekun dhe zgjedhin të mos trajtohen. Por është shumë më shqetësuese kur ata nuk arrijnë kurrë të takojnë një onkolog. Ne as nuk po zhvillojmë një bisedë me pacientët”, ka thënë doktoresha Presley.