Lifestyle

Ka lajme të mira për ata që marrin statina, por dy gjëra mbeten shqetësuese

Parandalimi i atakut në zemër dhe sulmit në tru

Parandalimi i atakut në zemër dhe sulmit në tru

Statinat janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas publikimit të një studimi të madh shkencor në revistën The Lancet, i cili sugjeron se shqetësimet për efektet anësore, si humbja e kujtesës apo çrregullimet e gjumit janë ekzagjeruar, ka raportuar The Times.

Statinat janë barna që përdoren për të ulur nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak dhe për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru, të cilat ndihmojnë që enët e gjakut të mos bllokohen.

Statinat ulin sasinë e yndyrës së dëmshme që prodhon mëlçia. Yndyra e dëmshme në gjak apo kolesteroli i tepërt mund të grumbullohet në muret e enëve të gjakut dhe, me kalimin e kohës, t’i ngushtojë ose t’i bllokojë ato.

Statinat ndihmojnë edhe në stabilizimin e këtyre grumbullimeve, duke e bërë më pak të mundshme çarjen e tyre dhe shkaktimin e një ataku në zemër ose sulmi në tru.

Mjekët i përshkruajnë këto ilaçe për:

- personat me nivel të lartë të yndyrës së dëmshme në gjak

- ata që kanë pasur më parë infarkt ose sulm në tru

- personat me rrezik të lartë për sëmundje të zemrës (për shkak të moshës, tensionit të lartë, diabetit, duhanit, trashëgimisë familjare)

Studimi, i cili ka përcjellë 124 mijë persona për një periudhë mesatare prej katër vjetësh e gjysmë, është pjesë e një serie studimesh që arrijnë në të njëjtin përfundim: barnat për uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak tolerohen shumë më mirë sesa mendojnë shumica e njerëzve, përfshirë pacientët dhe mjekët.

Aktualisht, rreth 10 milionë njerëz në Britani marrin çdo ditë statina. Rreth dy të tretat i përdorin për të parandaluar një atak në zemër ose sulm në tru për herë të parë, ndërsa një e treta tjetër sepse kanë pasur tashmë probleme dhe duan të zvogëlojnë rrezikun e përsëritjes.

Autori i analizës, doktori Mark Porter ka thënë se bën pjesë në grupin e parë dhe se merr atorvastatin, ilaçi më i përshkruar në Britani. Ai ka shtuar se nuk ka vërejtur asnjë efekt anësor serioz.

Megjithatë, pas shumë vitesh përvojë me pacientë, ai thotë se sot shqetësohet më pak për efektet anësore dhe më shumë për faktin se shumë njerëz e mbivlerësojnë mbrojtjen që ofrojnë statinat.

“Shumë pacientë i shohin statinat si zëvendësim të një diete të shëndetshme dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, kur në fakt ato duhet të jenë vetëm një shtesë”, ka theksuar ai.

Si funksionojnë statinat?

Statinat ulin nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak, por ndihmojnë edhe në stabilizimin e depozitave që krijohen në muret e enëve të gjakut, jo vetëm në zemër, por edhe në tru dhe organe të tjera.

Me kalimin e moshës, të gjithë krijojmë depozita në arterie. Disa janë të forta dhe ngushtojnë gradualisht enët e gjakut, ndërsa të tjerat janë më të buta dhe mund të çahen papritur, duke shkaktuar bllokim të plotë dhe pasoja fatale.

“Ne përqendrohemi shumë te numrat e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak në analiza, por stabilizimi i këtyre depozitave të buta është po aq i rëndësishëm. Nuk është gjithçka vetëm çështje shifrash”, ka shpjeguar ai.

Për këtë arsye, autori ka thënë se statinat duhet parë më shumë si barna që ulin rrezikun, jo thjesht si ulës të kolesterolit.

Sa real është përfitimi?

Sipas tij, përfitimi nga statinat varet shumë nga rreziku që ka secili person për atak në zemër apo sulm në tru.

“Një ulje prej 25 për qind e rrezikut te njerëzit që kanë pasur tashmë sulm në tru apo atak në zemër është shumë domethënëse. Por e njëjta ulje te një person me rrezik të ulët, për shembull një 55-vjeçar i shëndetshëm, përkthehet në përfitim shumë të vogël real”, ka thënë ai.

Mjekët përdorin kalkulatorin QRisk për të vlerësuar mundësinë që një person të pësojë atak në zemër ose sulm në tru në 10 vitet e ardhshme.

Personat që kanë pasur tashmë një problem të tillë konsiderohen automatikisht me rrezik të lartë dhe u ofrohen statina. Për të tjerët, vendimi varet nga rezultati i QRisk-ut.

Nëse rreziku është 10 për qind ose më shumë, zakonisht rekomandohet trajtimi me statina.

Në këtë nivel, Instituti Kombëtar për Shëndet dhe Kujdes në Britani vlerëson se për çdo 1.000 persona që marrin statina për 10 vjet, mund të parandalohen rreth 40 atake në zemër ose sulme në tru.

“Një rezultat shumë i mirë për sistemin shëndetësor dhe për ata 40 persona, por jo edhe aq për 960 të tjerët që nuk përfituan realisht”, ka vërejtur ai.

Studime të tjera tregojnë se, për parandalimin e parë, rreth 200 persona duhet të marrin statina për pesë vjet që të parandalohet një atak në zemër, dhe rreth 300 për të parandaluar një sulm në tru. Në rastet kur dikush ka pasur tashmë probleme, këto shifra bien ndjeshëm.

Dieta shpesh më efektive se statinat

Për krahasim, të njëjtat studime sugjerojnë se ndjekja e një diete mesdhetare të shëndetshme mund të jetë më efektive se statinat për parandalimin e parë, duke parandaluar një atak në zemër për çdo 63 persona që e ndjekin për pesë vjet.

“Sigurisht, dieta e shëndetshme dhe ilaçet nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, ka theksuar ai.

Ekspertet këshillojnë që nëse doni seriozisht ta ulni rrezikun për sëmundje të zemrës, merrni statina nëse ju këshillohen, por mos prisni që ato të bëjnë gjithë punën.

Ushqimi i shëndetshëm, mospirja e duhanit, aktiviteti fizik, mbajtja e peshës nën kontroll dhe menaxhimi i tensionit të gjakut janë ende thelbësore, madje më të rëndësishme se vetë ilaçi.