Më shumë njerëz se kurrë më parë po jetojnë të paktën pesë vjet pas diagnostikimit me kancer, tregojnë të dhënat më të reja të Shoqatës Amerikane të Kancerit (ACS), ka raportuar ABC News.
Sipas raportit vjetor të ACS, të publikuar në revistën mjekësore të organizatës, për herë të parë 70 për qind e të diagnostikuarve me kancer arrijnë të jetojnë të paktën pesë vjet pas diagnozës. Në vitet ’70, kjo shifër ishte më pak se 50 për qind.
“Është vërtet një moment emocionues. Nëse kthehemi në vitet ‘70, më pak se gjysma e njerëzve ishin gjallë ose pa kancer pas pesë vjetësh”, ka thënë doktori William Dahut, drejtori shkencor i ACS, në emisionin “Good Morning America”.
Raporti tregon gjithashtu rritje të gjasave për mbijetesë edhe te disa nga format më vdekjeprurëse të kancerit, përfshirë kancerin e mëlçisë dhe mushkërive.
Sipas Dahut, faktorët kryesorë janë ulja e përdorimit të duhanit, kontrollet më të hershme dhe trajtimet më të avancuara.
Megjithatë, raporti vëren se ndonëse shkalla e vdekjeve nga kanceri po bie, numri i rasteve të reja për disa lloje të shpeshta, si kanceri i gjirit, mitrës, prostatës dhe pankreasit, vazhdon të rritet.
Vetëm gjatë vitit 2026, ACS parashikon që rreth 5.800 persona në ditë do të diagnostikohen me kancer, duke e çuar numrin vjetor mbi 2 milionë raste.
Mbi 620 mijë persona pritet të humbin jetën nga kjo sëmundje gjatë këtij viti.
Në raport theksohen edhe pabarazi të vazhdueshme, pasi komunitetet indigjene amerikane dhe ato afro-amerikane kanë shkallë më të lartë si të diagnostikimit, ashtu edhe të vdekshmërisë nga kanceri.
“Së pari, duhet të sigurohemi që të gjithë të kenë të njëjtën qasje në kontrolle dhe trajtim. Kur njerëzit trajtohen me kushte të barabarta, rezultatet shpesh janë të njëjta dhe shumë nga këto pabarazi mund të eliminohen”, ka thënë Dahut.
Ai ka shtuar se disa grupe kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Banorët indigjenë të Alaskës kanë shkallët më të larta të kancerit të zorrës së trashë në botë, shpesh që në moshën 30 apo 40 vjeç”, tha ai. “Ndërkohë, burrat afro-amerikanë kanë më shumë gjasa të vdesin nga kanceri i prostatës”.