Një studim i ri nga Universiteti Edith Cowan në Australi ka zbuluar se mjafton vetëm një seancë ushtrimesh, qoftë me pesha apo trajnim me intensitet të lartë (HIIT), për të aktivizuar efekte kundër kancerit te gratë që kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit, ka raportuar SciTechDaily.
Sipas studiuesit Francesco Bettariga, kandidat për doktoratë, një stërvitje e vetme rrit prodhimin e myokinave, proteina që çlirohen nga muskujt gjatë ushtrimeve fizike dhe që dihet se kanë veti antikancerogjene. Ai ka treguar se këto proteina mund të ngadalësojnë rritjen e qelizave të kancerit me 20 deri në 30 për qind.
“Ushtrimet janë bërë një mënyrë efektive trajtimi për menaxhimin e kancerit, dhe ka shumë dëshmi që tregojnë se ato janë të sigurta dhe të dobishme, si gjatë ashtu edhe pas trajtimit të kancerit”, ka thënë Bettariga.
Në studim morën pjesë gra që kishin mbijetuar nga kanceri i gjirit. Ato bënë vetëm një seancë ushtrimesh, ose me pesha ose HIIT. Studiuesit matën nivelet e myokinave para ushtrimeve, menjëherë pas dhe sërish pas 30 minutash, dhe panë një rritje të qartë të tyre në të dyja llojet e ushtrimeve.
Ndikimi premtues i ushtrimeve te gratë që kanë kaluar kancerin
“Rezultatet treguan se të dy llojet e ushtrimeve ndihmojnë në prodhimin e këtyre myokinave te mbijetueset e kancerit të gjirit. Kjo është një arsye shumë e mirë për ta përfshirë aktivitetin fizik si pjesë të kujdesit standard në trajtimin e kancerit”, ka thënë Bettariga.
Ai ka shtuar se duhet bërë më shumë kërkim për të kuptuar se çfarë ndikimi kanë këto proteina në parandalimin e rikthimit të kancerit në afat të gjatë.
Përfitimet nga ndryshimi i përbërjes trupore
Bettariga hulumtoi gjithashtu se si ndryshimet në përbërjen trupore, ulja e masës dhjamore dhe rritja e masës muskulore, ndihmojnë në uljen e inflamacionit në trup. Inflamacioni është një nga faktorët kryesorë që mund të nxisë rikthimin e kancerit dhe përhapjen e tij.
“Inflamacioni i vazhdueshëm jo vetëm që ndihmon në përhapjen e tumorit, por edhe dobëson funksionin e sistemit imunitar. Kjo është arsyeja pse mbijetueset e kancerit të gjirit janë në rrezik më të lartë për rikthim të sëmundjes”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, mënyra më e mirë për të zvogëluar inflamacionin është përmes ushtrimeve të rregullta dhe të qëndrueshme që përmirësojnë përbërjen trupore.
“Nëse përmirësojmë përbërjen trupore, pra, rrisim muskujt dhe ulim yndyrën, kemi më shumë gjasa të ulim inflamacionin. Dhjami është përgjegjës për çlirimin e substancave që shkaktojnë dhe përkeqësojnë inflamacionin”, ka thënë Bettariga.
Ai ka theksuar se dietat e shpejta për humbje peshe nuk japin të njëjtat përfitime si ushtrimet.
“Nuk duhet të humbni peshë pa ushtrime fizike, sepse vetëm me ushtrime mund të ruani ose shtoni masën muskulore dhe të prodhoni këto proteina mbrojtëse që nuk mund të aktivizohen vetëm përmes dietës”, ka thënë ai.