Lifestyle

Pija e përditshme që mund të çojë në rënie të flokëve

renia e flokeve

Rënia e flokëve

Një studim i ri sugjeron se konsumimi i tepërt i pijeve të ëmbla mund të lidhet me rënie të flokëve.

“Dieta dhe ushqimi luajnë një rol vendimtar në shëndetin e flokëve, sidomos plotësimi me vitaminë D dhe hekur, ndërsa kufizimi i alkoolit dhe pijeve të gazuara mund të jetë i dobishëm”, shkruajnë studiuesit nga Universidade do Porto në Portugali, ka raportuar The Independent.

Këto përfundime bazohen në gjetjet e dekadës së fundit, ku është parë se konsumimi i pijeve të ëmbla lidhet me rrezik më të lartë për rënie të flokëve, sidomos te burrat.

Sipas studimeve, inflamacioni i shkaktuar nga ushqimet me sheqerna të thjeshta kontribuon në këtë dukuri.

Një studim i vitit 2023 nga Universiteti Tsinghua, ka zbuluar se konsumimi i 11 kënaçeve pije të ëmbla në javë (mbi 3,500 ml) e rrit rrezikun e rënies së flokëve te burrat.

Autorët kanë cekur se të dhënat ishin të vetëraportuara nga 1,028 pjesëmarrës, prandaj ishte e vështirë të përcaktohej shkaku i drejtpërdrejtë.

Studime të tjera e kanë përforcuar këtë lidhje.

Një kërkim i vitit 2016 kishte treguar se konsumimi i ushqimeve të përpunuara me sheqerna të thjeshta ishte “faktor indirekt i lidhur me rënien e flokëve”, pasi nxit prodhimin e tepruar të sebumit, substancë e yndyrshme që hidraton lëkurën dhe flokët. Kjo tepricë e sebumit krijon kushte për shumimin e baktereve në skalp, duke shkaktuar irritim dhe inflamacion, që kontribuojnë në humbjen e flokëve.

“Gjetjet sugjerojnë se ndërhyrjet në mënyrën e ushqyerjes mund të jenë të rëndësishme për parandalimin dhe menaxhimin e problemeve si alopecia dhe rënia e flokëve. Megjithatë, nevojiten studime të tjera për t’i kuptuar më thellë këto lidhje dhe për të zhvilluar rekomandime të bazuara në prova për promovimin e shëndetit të flokëve përmes ushqyerjes”, thuhet në raportin e studimit të autorëve portugezë.

Rënia e flokëve më së shpeshti lidhet me alopecinë androgjenetike, e njohur ndryshe si tullaci e trashëguar, që prek si burrat, ashtu edhe gratë.

Sipas Mayo Clinic, ekzistojnë trajtime efektive për disa forma të rënies së flokëve, përfshirë medikamentet si Propecia për burrat dhe Rogaine për të dy gjinitë, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale.

Në disa raste, flokët mund të rriten përsëri edhe pa trajtim.

Nga ana tjetër, analiza ka nxjerrë në pah se marrja e mjaftueshme e vitaminës D dhe hekurit lidhet me uljen e ashpërsisë së alopecisë dhe përmirësimin e rritjes së flokëve.