Një studim i ri, i publikuar së fundmi, tregon se konsumimi i pijeve me sheqer mund të lidhet me nivele më të larta ankthi tek adoleshentët.
Ankthi prek rreth një në pesë adoleshentë. Kjo gjendje mund të ndikojë seriozisht në jetën sociale, suksesin në shkollë dhe mirëqenien e përgjithshme. Ajo që shqetëson më shumë është fakti se çrregullimet e ankthit që nisin në adoleshencë shpesh vazhdojnë edhe në moshë madhore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDeri më tani dihet se faktorët biologjikë, gjenetikë dhe mjedisorë ndikojnë në rrezikun për të zhvilluar ankth. Por gjithnjë e më shumë studime sugjerojnë se edhe ushqimi mund të ketë rol në shëndetin mendor.
Disa ushqime, si frutat, perimet dhe acidet yndyrore omega-3, janë lidhur me nivele më të ulëta të simptomave të ankthit. Në anën tjetër, dietat e pasura me sheqerna të lira janë shoqëruar me shëndet mendor më të dobët tek adoleshentët, ka raportuar The Conversation.
Sheqernat e lira përfshijnë sheqerin e shtuar në ushqime dhe pije, por edhe sheqernat që gjenden natyrshëm në mjaltë, shurupe, si dhe në lëngjet e frutave dhe perimeve.
Sipas udhëzimeve në Mbretërinë e Bashkuar, sheqernat e lira nuk duhet të përbëjnë më shumë se 5 për qind të kalorive ditore. Adoleshentët janë grupmosha që konsumon më shumë sheqer të lirë, ndonjëherë deri në 20 për qind të energjisë totale ditore, dhe një pjesë e madhe e tij vjen nga pijet me sheqer.
Çka tregoi studimi?
Ky rishikim përfshiu të dhëna nga disa studime të mëparshme që analizuan sa pije me sheqer konsumojnë adoleshentët dhe sa të larta janë nivelet e ankthit tek ata. Studiuesit përfshinë punime të publikuara mes viteve 2000 dhe 2025. Nga nëntë studime të analizuara, shtatë gjetën një lidhje të qartë mes konsumit të pijeve me sheqer dhe ankthit.
Studimet përfshinë të rinj të moshës 10 deri në 19 vjeç. Konsumi i pijeve me sheqer u mat zakonisht përmes anketave. Në këtë kategori përfshiheshin pijet e gazuara, kola, lëngjet e ëmbëlsuara të frutave, pijet e ëmbëlsuara me qumësht, pijet energjike si dhe çaji ose kafeja e ëmbëlsuar.
Rezultatet treguan një lidhje domethënëse: adoleshentët që konsumonin sasi të larta të pijeve me sheqer kishin 34 për qind më shumë gjasa të diagnostikoheshin me një çrregullim ankthi.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto studime ishin vëzhguese. Kjo do të thotë se ato tregojnë lidhje dhe modele, por nuk provojnë se pijet me sheqer shkaktojnë ankth. Është gjithashtu e mundur që adoleshentët me ankth të konsumojnë më shumë pije të ëmbla.
Faktorë të tjerë, si niveli i arsimimit dhe të ardhurat familjare, ndikojnë si në shëndetin mendor, ashtu edhe në zakonet ushqimore.
Rol të mundshëm mund të luajë edhe lidhja mes zorrëve dhe trurit (i ashtuquajturi boshti zorrë-tru). Shëndeti i zorrëve ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë dietën e përgjithshme, nivelin e stresit dhe gjumin, të gjitha të lidhura gjithashtu me ankthin.
A duhet të reduktohen pijet me sheqer?
Në përgjithësi, studimi sugjeron se ulja e konsumit të pijeve me sheqer mund të jetë një mënyrë e dobishme për të mbështetur shëndetin mendor të adoleshentëve.
Deri tani, shumë studime janë fokusuar te përfitimet fizike nga reduktimi i sheqerit, por tashmë ka nevojë të kuptohet më mirë nëse kjo sjell edhe përfitime për shëndetin mendor.
Udhëzimet në Mbretërinë e Bashkuar rekomandojnë që adoleshentët dhe të rriturit të mos konsumojnë më shumë se 30 gramë sheqer në ditë (rreth shtatë lugë çaji). Një kënaçe e vetme pije e gazuar mund të përmbajë rreth 35 gramë sheqer, pra më shumë se kufiri i rekomanduar ditor.
Disa mënyra praktike për të ulur konsumin përfshijnë:
-Zëvendësimin e pijeve me sheqer me ujë, qumësht ose alternativa pa sheqer.
-Konsumimin e ujit të gazuar me feta limoni, copa trangujsh, manaferra apo nenexhik për shije natyrale pa sheqer të shtuar.
-Zgjedhjen e pijeve me pak kalori dhe me ëmbëltues artificialë (por me moderim).
Pijet energjike, përveç sheqerit, përmbajnë edhe sasi të larta kafeine, e cila mund të ndikojë negativisht në gjumë, sjellje dhe performancë shkollore. Për këtë arsye, rekomandohet që ato të zëvendësohen me alternativa me më pak kafeinë, si çaji ose kafeja.