Dikush mund të ndihet keq gjatë udhëtimit me makinë, por shkencëtarët thonë se muzika mund të ndihmojë.
Një studim i ri sugjeron se dëgjimi i këngëve argëtuese dhe me ritëm të shpejtë mund të lehtësojë simptomat e marramendjes dhe të përzierjes që shkaktohen nga udhëtimet me makinë, ka raportuar Times.
Kjo lloj muzika aktivizon qendrat e kënaqësisë në tru dhe shpërqendron nga ndjesitë e pakëndshme.
Hulumtuesit nga Universiteti Southwest në Kinë kanë testuar 40 persona përmes një udhëtimi simulues, duke i vendosur në rrugë që shkaktonin më shumë marramendje.
Gjatë testimit u regjistruan aktivitetet e trurit dhe më pas pjesëmarrësve iu dhanë për të dëgjuar lloje të ndryshme muzike.
Rezultatet treguan se muzika argëtuese uli simptomat e të përzierave gjatë udhëtimit me makinë me 57 për qind.
Shumë afër saj ishte muzika e lehtë dhe qetësuese, e cila i uli me 56 për qind. Muzika e fuqishme dhe dramatike pati efekt më të kufizuar, duke i ulur simptomat me rreth 48 për qind.
Nga ana tjetër, muzika trishtuese, jo vetëm që nuk ndihmoi, por doli të ishte më e keqe se të mos dëgjohej asgjë, me ulje prej vetëm 40 për qind, më pak se periudha e pushimit pa muzikë që uli simptomat me 43 për qind.
Sipas studiuesve, muzika trishtuese me ritëm të ngadalshëm, tinguj të ulët dhe melodi të zgjatura e bën trupin më të ndjeshëm ndaj stresit dhe përkeqëson marramendjen.
Përkundrazi, muzika argëtuese, me strukturë ritmike të qartë dhe melodi të lehta, përmirëson gjendjen emocionale, aktivizon ndjenjën e shpërblimit në tru dhe ndihmon në shpërqendrimin nga ndjesia e pakëndshme.
Studiuesit theksojnë se gjetjet e tyre ofrojnë alternativë pa medikamente, të lirë dhe të personalizuar për ata që vuajnë nga kjo gjendje, e cila sipas vlerësimeve prek miliona njerëz në mbarë botën.