Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

truri

Truri

Njerëzit kalojnë rreth një të tretën e jetës në gjumë, por mënyra se si truri “fiket dhe ndizet” sërish mbetet një nga misteret më të mëdha të neuroshkencës.

Është ndjenjë që shumëkush e njeh: je në mbledhje në mëngjes, dikush të bën një pyetje, dhe në atë çast truri yt thjesht “fiket”. Këto ndërprerje të shkurtra të vëmendjes janë të zakonshme te njerëzit që kanë fjetur pak, por deri tani shkencëtarët nuk e kanë kuptuar saktësisht se çfarë ndodh në tru në ato momente.

Një studim i ri nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) ka hedhur dritë mbi këtë proces dhe ka zbuluar se “fikja” e trurit nuk ka të bëjë vetëm me lodhjen mendore. Gjatë këtyre çasteve të humbjes së përqendrimit, ndodh një valë e lëngut trunor që del nga truri dhe rikthehet sapo vëmendja rifiton kontrollin, ka shkruar The Guardian.

“Momenti kur dikujt i dështon vëmendja është po ai moment kur valët e këtij lëngu fillojnë të lëvizin. Nuk është vetëm që neuronet nuk po i kushtojnë vëmendje botës përreth, në të njëjtën kohë ndodh një ndryshim i madh i lëngjeve në tru”, ka shpjeguar doktoresha Laura Lewis, bashkautore e studimit.

Lewis dhe kolegu i saj, doktori Zinong Yang, studiuan trurin e njerëzve të privuar nga gjumi për të kuptuar pse ndodhin dështime të tilla të vëmendjes, të cilat mund të jenë fatale, si për shembull te shoferët e përgjumur apo te kafshët që bëhen pre e grabitqarëve.

Në eksperiment morën pjesë 26 persona, të cilët u vendosën në skaner fMRI (mat aktivitetin e trurit duke zbuluar ndryshimet në rrjedhën e gjakut) me një kapelë EEG (kapelë elektroencefalogrami) për të matur aktivitetin elektrik të trurit. Ata duhej të reagonin sa më shpejt ndaj tingujve apo figurave në ekran. Secili u testua një herë pas një nate me gjumë normal dhe një herë pas një nate pa gjumë fare.

Siç pritej, performanca ra ndjeshëm pas mungesës së gjumit.

Skanerët treguan se, në momentin që vëmendja binte, një valë e lëngut cerebrospinal dilte nga truri dhe kthehej menjëherë pas rikthimit të përqendrimit. Këto valë zakonisht ndodhin gjatë gjumit të thellë dhe besohet se ndihmojnë trurin të pastrojë mbeturinat metabolike që grumbullohen gjatë ditës.

Përveç kësaj, u pa se bebëzat e syve ngushtoheshin rreth 12 sekonda para se lëngu të largohej nga truri dhe ktheheshin në normalitet pas përfundimit të këtij intervali. Frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës po ashtu ngadalësoheshin.

Sipas Yang, këto intervale ndodhin kur truri përpiqet të kryejë funksionet e zakonshme njohëse, ndërkohë që fillon edhe “mirëmbajtjen” e tij të brendshme, proces që zakonisht ndodh gjatë gjumit.

“Është si të thuash, truri po përpiqet të bëjë një pushim të vogël”, ka thënë ai.

Profesori Bill Wisden nga Imperial College London, ka theksuar se studimi tregon se mungesa e gjumit sjell ndryshime të thella në tru.

“Ende nuk është e qartë nëse këto ndryshime të qarkullimit të lëngjeve janë mbrojtëse apo të dëmshme”, ka thënë ai.

Ndërsa doktoresha Ria Kodosaki nga University College London e përshkroi këtë fenomen si “ngjarje biologjike të strukturuara që ngjajnë shumë me fillimin e gjumit”.

Ajo ka shtuar se këto intervale të rrezikshme mund të jenë mënyra e trurit për të mbrojtur vetveten.

“Mendoni për to si ndalesa të detyruara në garë, truri humbet përkohësisht fokusin e jashtëm për të bërë pastrimin e brendshëm”, ka thënë doktoresha.