Truri ynë ka nevojë për sfida që të qëndrojë i shëndetshëm, por kjo nuk do të thotë se gjithçka duhet të jetë e vështirë apo stresuese. Sipas ekspertëve disa aktivitete të thjeshta dhe të këndshme mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit dhe ngadalësimin e rënies së aftësive mendore me kalimin e viteve, ka shkruar BBC.
Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, rritet edhe numri i viteve që kalojnë me probleme shëndetësore. Për këtë arsye, studiuesit po përqendrohen gjithnjë e më shumë te mënyrat që ndihmojnë njerëzit të ruajnë jo vetëm jetëgjatësinë, por edhe shëndetin mendor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas psikologut Alan Gow nga Universiteti Heriot-Watt në Skoci, edhe ndryshimet e vogla në përditshmëri mund të kenë ndikim të madh në tru.
“Pavarësisht moshës që kemi, ekzistojnë gjëra që mund t’i bëjmë më shumë ose më pak për t’i dhënë aftësive tona mendore një shtysë”, ka thënë ai.
Ekspertët shpjegojnë se aktivitetet sfiduese ndihmojnë në krijimin e asaj që quhet “rezervë njohëse”, një lloj mbrojtjeje që e ndihmon trurin të përballojë më mirë plakjen dhe sëmundjet si demenca apo Alzheimeri.
Këto janë tri nga mënyrat më të mira dhe më argëtuese për ta mbajtur trurin aktiv.
Ushtroni orientimin dhe drejtimin
Një nga pjesët më të rëndësishme të trurit për kujtesën dhe orientimin është hipokampusi, i cili është edhe ndër zonat e para që preken nga Alzheimeri.
“Prej vitesh dimë që njerëzit me Alzheimer shpesh humbasin rrugën si simptomë fillestare”, ka thënë neurologu Dennis Chan nga University College London.
Studimet kanë treguar se shoferët e taksive dhe ambulancave kanë nivele më të ulëta të vdekshmërisë nga Alzheimeri, sepse përdorin vazhdimisht trurin për orientim dhe drejtim.
Madje, tek shoferët e taksive që mësonin rrugët pa GPS është vërejtur zmadhim i hipokampusit.
Ekspertët rekomandojnë aktivitete si ecje në rrugë të reja pa përdorur Google Maps, sporte orientimi, lojëra me blloqe ndërtimi për fëmijët apo lojëra virtuale që kërkojnë orientim hapësinor.
Përdorimi i tepërt i GPS-it është lidhur me kujtesë më të dobët hapësinore.
Qëndroni aktivë me shoqëri
Shumë studime kanë treguar se njerëzit që ruajnë lidhje të forta shoqërore kanë rrezik më të ulët për rënie njohëse dhe demencë.
Një studim i madh ka zbuluar se personat që ishin më shoqërisht aktivë në moshën e mesme dhe të tretë kishin 30 deri në 50 për qind më pak rrezik për demencë.
Gjithashtu, te personat që zhvilluan demencë, ata që kishin më pak kontakte sociale e shfaqën sëmundjen rreth pesë vjet më herët se ata që ishin më aktiv shoqërisht.
“Faktori mbrojtës është aftësia për të diskutuar, debatuar dhe ndarë ide. Këto biseda mund të jenë mbrojtëse për trurin”, ka shpjeguar epidemiologia Pamela Almeida-Meza
Kur flasim dhe ndërveprojmë me të tjerët, aktivizohen shumë pjesë të trurit, nga kujtesa dhe gjuha, deri te planifikimi dhe përqendrimi.
Për më tepër, lidhjet sociale ndihmojnë në uljen e stresit kronik, i cili lidhet me dëmtimin e neuroneve në hipokampus.
Mos ndaloni së mësuari
Një nga faktorët më të rëndësishëm për plakje të shëndetshme është vazhdimi i të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Studimet tregojnë se njerëzit që kalojnë më shumë vite në arsim kanë rrezik më të ulët për demencë.
Mësimi i gjërave të reja ndihmon trurin të krijojë lidhje të reja nervore dhe të forcojë ato ekzistuese, proces që njihet si neuroplasticitet.
“Është pikërisht kjo aftësi për të krijuar qeliza të reja nervore dhe lidhje të reja që u jep njerëzve rezistencë ndaj Alzheimerit” ka thënë doktori Dennis Chan.
Ekspertët rekomandojnë aktivitete të thjeshta si kopshtaria, leximi, diskutimi i librave me miq, mësimi i një aftësie të re, apo ndryshimi i rutinës së përditshme.
Madje, studimet tregojnë se kopshtaria mund të ndihmojë në ruajtjen e funksionit njohës.
Sipas studiuesve, nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një rrugë të re gjatë ecjes, një libër sfidues apo më shumë kohë me miqtë, çdo aktivitet që stimulon trurin ndihmon në krijimin e një truri më të fortë dhe më rezistent ndaj plakjes.
Dhe ndoshta pjesa më e mirë është se këto zakone jo vetëm që ndihmojnë shëndetin e trurit, por e bëjnë jetën edhe më të këndshme.