Lifestyle

Ushqyerja ndikon në shfaqjen e hershme të depresionit

Foto ilustrim

Edhe ndryshimet më të vogla në mënyrën e ushqyerjes mund të ndikojnë në shfaqjen e simptomave të depresionit tek të rinjtë, paralajmërojnë studimet.  

Sipas ekspertëve, ushqimi përbën një faktor të rëndësishëm rreziku për zhvillimin e depresionit, veçanërisht gjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme, një periudhë kur rreziku për çrregullime të shëndetit mendor është dukshëm më i lartë.

Kjo fazë e jetës konsiderohet kritike, pasi në të rinjtë formojnë zakone ushqimore që shpesh i mbajnë edhe më vonë.

Në kuadër të studimit, ekspertë nga Australia përfshinë 76 persona të moshës 17 deri në 35 vjeç, të cilët shfaqnin simptoma të lehta ose të rënda depresioni. 

Pjesa më e madhe e tyre ushqehej me sasi të larta sheqeri, yndyrash të ngopura dhe ushqimesh të përpunuara. 

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: grupi i parë u informua mbi rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe u pajis me kupona për blerje, ndërsa grupi i dytë vazhdoi të ndjekë të njëjtin regjim ushqimor si më parë.

Pas tre javësh, rezultatet treguan se grupi që kishte adoptuar ushqyerjen e shëndetshme shfaqi përmirësim të dukshëm në nivelet e depresionit, stresit dhe ankthit, raportoi “Agroweb”.

Tre muaj pas studimit, ekspertët konstatuan se vetëm shtatë persona kishin arritur të ruanin ndryshimet në ushqyerje dhe, si pasojë, ndiheshin dukshëm më mirë.

Studiuesit arritën në përfundim se rritja e konsumit të frutave, perimeve, peshkut dhe vajit të ullirit ndikon pozitivisht në shëndetin mendor të të rinjve. 

Gjerësisht pranohet se shëndeti i trurit lidhet ngushtë me shëndetin e sistemit tretës, ndërsa ushqimet e shpejta dhe të përpunuara priren të përkeqësojnë jo vetëm gjendjen emocionale, por edhe funksionet e trurit.