Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ushtrimet japin më shumë efekt kur bëhen në kohën e duhur

Ushtrimet

Foto: Ilustrim

Sipas një studimi të ri, për të përfituar sa më shumë nga një seancë në palestër apo një vrapim, duhet ta bëni atë në kohën kur i përshtatet më mirë orës suaj të brendshme biologjike. 

Sipas studiuesve personat që zgjohen herët duhet të ushtrohen në mëngjes për përfitim maksimal, ndërsa ata që qëndrojnë zgjuar deri vonë natën duhet të stërviten në mbrëmje, ka raportuar BBC.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studimi i ri i publikuar në revistën Open Heart ka gjetur se sinkronizimi i ushtrimeve në këtë mënyrë mund të përmirësojë shëndetin e zemrës, sidomos për personat që kanë rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës. 

Vullnetarët që e provuan këtë flinin më mirë, kishin tension më të ulët të gjakut dhe nivele më të shëndetshme të sheqerit në gjak.

Përmirësime në formën fizike

Në studimin që është realizuar në Pakistan kanë marrë pjesë 134 persona të moshës 40 deri në 50 vjeçe. 

Asnjëri prej tyre nuk ishte shumë në formë të mirë fizike dhe secili kishte të paktën një faktor rreziku për zemrën, si tension i lartë i gjakut apo mbipesha.

Atyre iu kërkua të bënin ushtrime të mbikëqyrura me ecje të shpejtë në një pistë vrapimi për 40 minuta në ditë, pesë herë në javë, për tre muaj.

Bazuar në pyetësorë, 70 prej tyre u klasifikuan si persona që zgjoheshin herët e 64 si persona që flinin vonë. 

Disa ushtronin në orare që përputheshin me orën e tyre biologjike — prirjen natyrale për të qenë më aktiv në mëngjes ose në mbrëmje varësish nëse ishin persona që zgjoheshin herët ose flinin vonë, ndërsa të tjerët e bënin të kundërtën.

Të dy grupet treguan përmirësime në formën fizike.
Por ata që ushtronin në përputhje me orën biologjike të tyre kishin përfitime më të mëdha në tensionin e gjakut, kapacitetin aerobik, treguesit metabolikë dhe cilësinë e gjumit.

Ora juaj e brendshme biologjike ndikon në ritmet e gjumit dhe zgjimit, si dhe në nivelet e hormoneve dhe energjisë gjatë ditës, gjë që mund të ndikojë në performancën dhe vazhdimësinë e ushtrimeve, shpjegojnë studiuesit.

Mospërputhja mes orës biologjike dhe jetës së përditshme

Autorët e studimit thonë se gjetjet tregojnë që një qasje “njësoj për të gjithë” për kohën e ushtrimeve nuk është ideale.

Mospërputhja mes orës biologjike dhe jetës së përditshme është lidhur me rrezik më të lartë për zemrën.

Sipas tyre, njerëzit që flenë vonë janë më të rrezikuar nga kjo, ndaj nuk duhet ta detyrojnë veten të ushtrohen herët në mëngjes.

Disa palestra tashmë qëndrojnë hapur 24 orë.

Hugh Hanley, trajnues personal në një palestër fitnesi, ka theksuar se mbrëmjet e së hënës dhe të martës janë zakonisht oraret më të ngarkuara, por sipas tij, gjithnjë e më shumë njerëzit po i vendosin orare të stërvitjes gjatë gjithë ditës.

“Një gjë që kemi vënë re vitet e fundit është se njerëzit po i japin më shumë prioritet shëndetit të tyre dhe po janë më fleksibil në orare”, ka deklaruar ai.

Hanley ka deklaruar se çelësi për të qëndruar në formë është vazhdimësia — krijimi i një zakoni të lëvizjes dhe përfshirja e tij në stilin e jetesës.

“Ta bësh rregullisht është më mirë sesa një ose dy përpjekje intensive. Shpesh shohim që njerëzit vendosin objektiva shumë të mëdha në fillim. Ne preferojmë që t’i ndajnë në synime të vogla dhe të arritshme”, është shprehur ai.

Sipas provave shkencore, është e dobishme të kombinosh lloje të ndryshme ushtrimesh. 

Sistemi Publik Shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) rekomandon aktivitete për forcimin e muskujve të paktën dy herë në javë dhe të paktën 75 minuta ushtrime intensive kardio.