Lifestyle

Vaksina që po tregon rezultate premtuese për parandalimin e rikthimit të kancerit

Vaksinat

Vaksinat

Një vaksinë kundër kancerit, e gatshme për përdorim, ka treguar rezultate premtuese në parandalimin e rikthimit të kancerit të pankreasit dhe atij kolorektal apo të zorrës së trashë, sipas një studimi të ri.

Vaksinat kundër kancerit kanë marrë gjithnjë e më shumë vëmendje vitet e fundit. Në institucionet shëndetësore në Angli, po testojnë disa prej tyre përmes programit Cancer Vaccine Launch Pad (CVLP). Këto vaksina “ushtrojnë” sistemin imunitar që të njohë qelizat e kancerit dhe, nëse ato rikthehen pas trajtimeve si operacioni, t’i shkatërrojë, duke ulur rrezikun e përsëritjes së sëmundjes, ka raportuar The Guardian.

Shumë vaksina, përfshirë ato me teknologjinë mRNA, personalizohen për çdo pacient sipas tumorit të tij. Por ky studim ka treguar se një vaksinë eksperimentale jo e personalizuar, që tashmë prodhohet në shkallë të gjerë, mund të ndihmojë në parandalimin e rikthimit të këtyre llojeve të kancerit. Sipas ekspertëve, nëse rezultatet konfirmohen me teste të tjera, kjo vaksinë mund të jetë më e lirë, më e shpejtë për t’u siguruar dhe me më pak efekte anësore sesa disa terapi të tjera.

“Pas një periudhe të gjatë ndjekjeje, arritëm të tregojmë se grupi i pacientëve që zhvilluan përgjigje imunitare kishte më shumë gjasa që kanceri të mos u rikthehej dhe të jetonin më gjatë, krahasuar me pritshmëritë historike për këtë sëmundje”, ka thënë Zev Wainberg, onkolog në Universitetin e Kalifornisë, dhe bashkautor i studimit.

Sipas autorëve, rreth 90 për qind e pacientëve me kancer të pankreasit dhe 50 për qind e atyre me kancer kolorektal kanë mutacione në gjenin që quhet Kras. Këto mutacione prodhojnë proteina të ndryshuara Kras, të cilat nxisin qelizat të shumohen në mënyrë të pakontrolluar.

Në studimin e publikuar në revistën Nature Medicine, Wainberg dhe ekipi i tij i dha vaksinën ELI-002 2P 20 pacientëve që kishin kaluar operacion për kancer të pankreasit dhe pesë të tjerëve që ishin operuar për kancer kolorektal apo kancer të zorrës së trashë.

Vaksina përmban peptide, zinxhirë të gjatë aminoacidesh, që janë blloqet ndërtuese të proteinave, dhe funksionon duke mësuar qelizat T, të sistemit imunitar të njohin dhe të shkatërrojnë qelizat e kancerit që kanë proteinat e ndryshuara Kras.

Pasi i përcjellën për gati 20 muaj, studiuesit zbuluan se pacientët ndaheshin në dy grupe: 17 kishin një reagim të fortë imunitar ndaj vaksinës dhe tetë kishin reagim më të dobët. Grupi i parë kishte periudha më të gjata pa rikthim të kancerit dhe jetoi më gjatë në përgjithësi. Nga këta 17 pacientë, vetëm katër vdiqën gjatë përcjelljes, krahasuar me shtatë nga tetë pacientët me reagim të dobët.

Megjithatë, studimi është ende në fazë të hershme, përfshiu vetëm 25 persona, nuk kishte grup kontrolli dhe trajtoi dy lloje të ndryshme kanceri.

Ani pse rezultatet janë paraprake, ekspertët i vlerësojnë si të rëndësishme. Profesori Siow Ming Lee nga University College London, që nuk ishte pjesë e studimit, ka thënë se vaksina ELI-002 2P mund të kombinohet me terapi të tjera imunitare dhe potencialisht të ndihmojë më shumë pacientë.

“Me rezultate të hershme premtuese dhe me më pak efekte anësore sesa frenuesit oralë aktualë, kjo vaksinë e gatshme mund të zgjerojë opsionet e trajtimit për kanceret e shkaktuara nga Kras dhe meriton testim të mëtejshëm në studime më të mëdha, përfshirë edhe kancerin e mushkërive që lidhet me mutacionet në Kras”, ka thënë ai.

Doktori Shivan Sivakumar nga Universiteti i Birminghamit, i cili punon me vaksina mRNA për kancerin e pankreasit, u shpreh se ishte “fascinuese” që kaq shumë pacientë patën reagim të qartë imunitar ndaj kësaj vaksine. Por ai ka shtuar se vaksinat e personalizuara mRNA nuk varen nga mutacionet në gjenin Kras.

Sivakumar ka theksuar se tani është e rëndësishme të zhvillohen prova të kontrolluara me pacientë të ndarë në mënyrë të rastësishme dhe t’i ndiqen për një periudhë më të gjatë.

“Sa herë kemi qenë në këtë situatë, ku jemi entuziazmuar nga shkenca? Por, në fund të fundit, testi i vërtetë shkencor bëhet te pacientët”, ka thënë ai.