Lokalet 2021

Qyteti i ndarë me probleme të shumta

Në Melenicë të Komunës së Mitrovicës banorët problemin më të madh e kanë me mungesë të ujit të pijshëm. Skënder Hyseni, i cili është banor i këtij fshati, tregon më shumë rreth këtij problemi.

“Kemi problem qe 50 vjet, kur ka qenë koha e serbëve e deri më sot kemi problem. Ne kemi ujë 6 muaj, 3 muaj dimër dhe 3 muaj pranverë. Të gjitha fshatrat kanë problem, por Melenica ka më së shumti. Këtu afër kemi Trepçën, 2.5 kilometra, ku edhe është ujësjellësi, por nuk e kanë sjellë deri këtu. E kemi edhe minierën poshtë e ka marrë ujin dhe ne kemi mbetur këtu pa ujë. Ne shkojmë në Trepçë e marrim ujin me cisternë ose shkojmë në Bajgorë për të marrë ujë të pijshëm. Bunarët që i kemi nuk kanë ujë të pijshëm”, ka thënë ai.

Por, Hyseni dhe djemtë e tij që detyrohen ta mbushin pusin me ujë të siguruar nga fshatrat përreth rrezikohen nga gjarpërinjtë.

“Ujin me cisternë kur e marrim e zbrazim prej larti e tani këtë e fusim në shtëpi. Por shihni këtë kapakun këtu, kur e hapi gjarpri është aty, është pak rrezik”, shtoi Hyseni.

Premtimet për furnizimin e këtij fshati me ujë të pijshëm nuk u realizuan nga asnjë parti politike që kanë udhëhequr deri tani Mitrovicën.

Përveç ujit, problemi më i madh tash e 22 vjet është qyteti i ndarë i Mitrovicës.

Shumë familje shqiptare kanë lënë në anën veriore pronat e tyre dhe detyrohen të jetojnë në jug, e për këtë ata kurrë nuk u kompensuan.

“Unë e kam lokalin të cilin e kanë uzurpuar serbët dhe nuk paguajnë qira. Shteti ynë, Komuna nuk interesohen. As nuk na kanë ndihmuar. Kemi pasur probleme të mëdha me atë lokal, janë munduar edhe në mënyrë të dhunshme, por nuk e shes. Por Komunës nuk i intereson ajo, thotë se nuk është në kompetencën tonë, shko në veri. Është rrezik të shkoj, sidomos kur e dinë që jam pronar i lokalit mund të më bëjnë problem”, tha Kujtim Skënderi, qytetar nga Mitrovica.

Rik Fejza nga grupi i pavarur i qytetarisë aktive në Mitrovicë, “Tjetër qysh”, thotë se qytetarët po përballen edhe me mungesë të mjekëve në qendra.

“Ka mungesë të mjekëve në qendrat e mjekësisë familjare nëpër fshatra dhe po ashtu edhe në qendër të qytetit. Vlen të përmendet një rast, mungesa e mjekut në Kçiq të Madh, ku ka 1 vit që nuk ka mjek aty. Ai fshat ka rreth 10 mijë banorë dhe ka nevojë që të paktën të ketë një mjek, të paktën në një ndërrim aty”, ka thënë Fejza.

Qytetarët numërojnë edhe problemet e tjera me të cilat përballen çdo ditë.

“Problem është se nuk ka trafik urban. Ose duhet me ecë në këmbë ose të shkojmë me kerre, ka problem me parkingje. Thuajse të gjitha parkingjet janë private, ua kanë dhanë privatëve për të menaxhuar hapësirën publike. Mos të flasim për hapësirat sportive dhe institucionet e tjera që janë komunale, thuajse nuk menaxhohen fare nga Komuna, ato u janë dhënë për interes personave të caktuar”, tha një qytetar.

Ankesa të shumta të qytetarëve kishte edhe për papunësinë. Sipas Institutit GAP, gjatë periudhës së parë të shfaqjes se pandemisë COVID-19 dhe vlerësimeve të bëra (shkurt 2021) në Mitrovicë janë evidentuar 4.847 punëkërkues. Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të muajit qershor, afro 10 mijë persona të kësaj komune marrin skemë sociale.