Luftarake

Crawfordi dominon Canelon dhe shkruan histori të boksit

Crawford

Boksieri Terence Crawford ka dominuar ndaj Saul “Canelo” Alvarez në meçin e zhvilluar në Las Vegas dhe është bërë i pari në epokën moderne që ka unifikuar titujt në tri kategori të ndryshme.

Para 70 mijë shikuesve, shumica prej tyre mbështetës së Alvarezit, Crawfordi ofroi kryevepër boksi, ndonëse doli dy kategori më lartë.

Ylli 37-vjeçar i boksit ka treguar arsenalin e goditjeve, mbrojtjes, fuqisë dhe “tajmingut”, duke lënë 35-vjeçarin Alvarez të paforcë dhe duke heshtur tifozërinë që fillimisht ishte e zhurmshme.

Crawford fitoi me pikë, por vlerësimi i gjyqtarëve ka befasuar shumicën e njohësve të boksit. Fitorja e amerikanit është vlerësuar më bindëse se që tregon rezultati zyrtar, 116:112, 115:113 dhe 115:113.

“Nuk jam këtu rastësisht”, tha Crawford, që fitoi titujt e kategorisë super të mesme në versionet WBA Super, WBC, WBO dhe IBF.

Crawford u ul në gjunj pasi u shpall fitues. Ishte shumë i emocionuar. Ai i ka 42 fitore, prej tyre 31 me ndërprerje. Barazimet dhe humbjet nuk i ka provuar. Amerikani e ka lënë të hapur mundësinë e pensionimit.

“Nuk e di, do të ulem me ekipin dhe do të flasim për këtë”, ka shtuar Crawford.

Në fundjavën e Ditës së Pavarësisë së Meksikës, Alvarez kishte barrën për të boksuar për statusin, krenarinë dhe shpresat e një vendi. Por u përball me një legjendë të gjeneratës. Alvarez e pësoi humbjen e tretë prej 68 meçeve sa i ka në karrierë.

“Ndihem mirë të ndajë ringun me boksierët më të mëdhenj si ai. Nëse e bëjmë sërish, do të ishte e shkëlqyer”, ka thënë Alvarez. “Trashëgimia ime tashmë është ndërtuar. Më pëlqen të rrezikoj pasi e dua boksin”, ka thënë meksikani Alvarez, që 39 prej 63 fitoreve i ka me ndërprerje.

Alvarezi për herë të 21-të ka boksuar në Las Vegas, qytetin që e ktheu në fortesë për dy dekada. Por këtë herë përballë e kishte më të mirin.

Legjenda si Mike Tyson e Evander Holyfield ishin afër ringut. Meçi vlerësohet prej kryesorëve të viteve të fundit.

Crawford ishte kampion i padiskutueshëm edhe në kategorinë super të lehtë dhe në atë uelter. Por ka mbajtur tituj të kampionit të botës edhe në dy kategori të tjera të boksit profesionist.