Kampione në fuqi dhe bartëse e parë.
Distria Krasniqi garon të enjten në Tbilisi të Gjeorgjisë, në ditën e parë të Kampionatit Evropian të xhudos për vitin 2026. Distria është favorite e madhe e kategorisë deri 52 kilogramë, kategori në të cilën Kosova ka dominuar për mbi një dekadë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDistria në fakt është xhudistja më e ranguar që paraqitet në Evropian. Është njëra prej kampioneve olimpike në këtë ngjarje dhe njëra prej më të dekoruarave po ashtu.
Sa u takon kampionateve kontinentale, ajo ka të arta në vitin 2021, 2024 e 2025. Të argjendta ka fituar në vitet 2018 e 2023 dhe të bronzta në vitet 2020 e 2022.
Në kategorinë deri 52 kilogramë janë 24 xhudiste. Hungarezet Reka Pupp e Roza Gyertyas, italiania Odette Giuffrida dhe francezja Amandine Buchard vlerësohen rivalet e Distrisë në garë për të artën.
Por kampionia dhe nënkampionia olimpike nga Peja është favorite e madhe.
Ajo ka medalje në 15 garat e fundit. Në shumicën prej tyre është paraqitur në finale. Në fakt do të jetë befasi shumë e madhe nëse Distria nuk do të jetë në podium të enjten pasdite në kryeqendrën gjeorgjiane. Ajo është njëra prej sportisteve me formën më konstante, jo vetëm në xhudo.
Në ditën e parë të Evropianit garojnë edhe xhudistet e kategorisë deri 48 kilogramë dhe xhudistët e kategorisë deri në 60 kilogramë dhe ata të kategorisë deri 66 kilogramë.
Erza Muminoviq e përfaqëson Kosovën në kategorinë deri 48 kilogramë. Erza, e kthyer në gara pas një shkëputjeje, nuk është në mesin e bartëseve. Por ka dhënë shenja në disa gara se është në rrugë të mirë. Nëse bënë vend në tetëshen më të mirë, do të ishte sukses i madh për 23-vjeçaren.
Në kategorinë deri 52 kilogramë garon edhe Fatjona Kasapi. Edhe Fatjona ka pasur shkëputje të gjatë nga garat për shkak të një lëndimi. Nuk është bartëse, por vendi i shtatë në Grand Slamin e Parisit dha sinjale se 24-vjeçarja po shkon në drejtimin e duhur.
Të premten garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë si dhe Akil Gjakova e Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë.
Laura është bartësja e katërt në kategori dhe pretendente për medalje. Joanne van Lieshout e Holandës, Iva Oberan e Kroacisë dhe Manon Deketer e Francës janë më lartë në renditje se Laura.
Në kategorinë deri 73 kilogramë konkurrenca vlerësohet më e forta e mundshme. Si në asnjë kategori tjetër, janë plot 41 xhudistë.
Akili është bartësi i pestë dhe do të jetë në konkurrencë të fortë me francezin Joan Benjamin Gaba, Hidayet Heydarovin e Azerbajxhanit, Leonardo Valerianin e Italisë, Lasha Shavdatuashvilin e Gjeorgjisë dhe xhudistë të tjerë.
Në Kampionatin e 75-të Evropian, garojnë 402 xhudistë nga 46 vende të ndryshme.