Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Java e Evropianit të xhudos, Kosova kërkon medalje për vitin e 14-të rresht

distria

Një seri e mahnitshme e nisur që në vitin 2013, ka gjasa minimale që mos të vazhdohet edhe në vitin 2026.

Kosova ka fituar medalje në Kampionatin Evropian të xhudos për plot 13 vjet rresht. Dhe javën e ardhshme synon që ta bëjë këtë për herë të 14-të. Do të ishte befasi e jashtëzakonshme nëse xhudistët kosovarë nuk fitojnë medalje në Evropian, marrë për bazë nivelin e tyre dhe punën që bënë kryemjeshtri Driton Kuka.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Evropiani i xhudos për të rritur mbahet prej 16 deri më 19 prill në Tbilisi të Gjeorgjisë. Mbi 400 xhudistë nga 46 shtete të ndryshme pritet të marrin pjesë.

Kosova përfaqësohet me gjashtë xhudistë. Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Erza Muminoviq dhe Fationa Kasapi garojnë te xhudistet, ndërsa Akil Gjakova e Dardan Cena te xhudistët.

Distria, Akili e Laura kanë tashmë medalje në Kampionatet Evropiane për të rritur. Distria i ka plot tri të arta, dy të argjendta e dy të bronzta. Akili ka të artë e të bronztë, ndërsa Laura të argjendtë e të bronztë.

Erza, Fationa e Dardani i kërkojnë medaljet e para në Evropianin e rregullt për seniorë.

Janë plot 25 medalje evropiane që i kanë fituar xhudistët e kryemjeshtrit Kuka deri më tani. Shifra pritet të rritet në Tbilisi.

Seria e veçantë nisi në Budapest në vitin 2013, kur të bronztë fitoi Majlinda Kelmendi. Më pas Kosova fitoi medalje evropiane në Montpellier të Francës, Baku të Azerbajxhanit, Kazan të Rusisë, Varshavë të Polonisë, Tel Aviv të Izraelit, Minsk të Bjellorusisë, Pragë të Çekisë, Lisbonë të Portugalisë, Sofje të Bullgarisë, sërish Montpellier, Zagreb të Kroacisë dhe Podgoricë të Malit të Zi.

Majlinda i ka katërt të arta e një të bronztë. Nora Gjakova ka të artë, të argjendtë e pesë të bronzta. Dy të bronzta i ka edhe Loriana Kuka. Shpresat janë që emrat në këtë listë të shtohen. Se do të shtohet një qytet i ri – Tbilisi, kjo është thuajse e pashmangshme.

Të enjten, më 16 prill, në tatami dalin Distria dhe Erza. Dhe që në ditën e parë pritet medalja për Kosovën. Distria garon në kategorinë deri 52 kilogramë dhe është xhudistja më e ranguar që paraqitet në Evropian.