Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Kryemjeshtrit Kuka i ndahet çmimi kryesor i Akademisë Sportive të Malit të Zi

Driton Kuka

Trajnerit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka, i është ndarë çmimi më i madh i Akademisë Sportive të Malit të Zi. Këtë e ka bërë të ditur të martën ky institucion studiues.

Kuka është nderuar për sukseset që ka arritur në xhudo, përkatësisht numrin e madh të medaljeve në Lojërat Olimpike, Kampionate Botërore, Kampionate Evropiane dhe në ngjarjet e tjera.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Konferencën e 24-t Ndërkombëtare të mbajtur në Budbë, Akademia Sportive e Malit të Zi, ka ndarë “Golden Plaque – Montenegrin Sports Academy Awards” për kryemjeshtrin Kuka.

Çmimi i është ndarë për rezultate të shkëlqyera në nivelin ndërkombëtar, promovimin e sportit dhe për përsosmëri në punën sportive dhe karrierën e trajnerit. 

Këtë çmimi vitin e kaluar e mori përzgjedhësi i Kroacisë në futboll, Zlatko Daliq.

Akademia e Malit të Zi e ka prezantuar Kukën si njërin prej trajnerëve të xhudos më të mirë në botë dhe trajnerin që ka krijuar njërin prej sistemeve më të suksesshme të xhudos në Evropë.

Pasi gjatë konferencës së fundit të Akademisë, Kuka ishte i angazhuar në Evropian, çmimi do t’iu dorëzohet në konferencën e ardhshme në Podgoricë.

Akademia Sportive e Malit të Zi është institucion për avancimin e shkencës sportive. Mision i kësaj akademie është të bashkojë studiues dhe profesionistë të sportit me synim për të avancuar shkencën sportive.

Driton Kuka ka fituar shumë çmime individuale, falë sukseseve kulmore me xhudistët e tij. Ai është figurë shumë e respektuar edhe në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos dhe në Unionin Evropian të xhudos. Në dy institucionet kryesore të xhudos mban pozita të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e këtij sporti.

Nxënësit e Kukës kanë fituar ndër të tjera pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta. Ka një dekadë e gjysmë që kryemjeshtri fiton rregullisht medalje të mëdha me nxënësit e tij.