Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Kundërshtari i Usykut - legjendë e kikboksit dhe mik i aktorit Statham

vv

Nëse mbrëmja e së shtunës sjell tronditjen më të habitshme që boksi ka parë ndonjëherë, librat e historisë duhet t’i falënderohen Jason Stathamit.

Një takim i rastësishëm me njeriun e fortë të Hollywoodit i ka dhënë holandezit Rico Verhoeven një shans të papritur për ta sfiduar titullin e botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist ndaj legjendës Oleksandr Usyk. Meçi zhvillohet në Egjipt. Verhoeven është legjendë e kikboksit, kurse e ka vetëm një meç në boksin profesionist.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E tëra filloi kur Verhoeven u takua me aktorin e njohur britanik, Statham, që është i afërt me organizatorin e fuqishëm të ngjarjeve të boksit, sauditin Turki Alalshikh. Kjo ndodhi në shtator 2024, gjatë javës së meçit mes Saul “Canelo” Alvarez ndaj Terence Crawford.

“E di që mund të mposhtësh shumë nga këta djem, ose ndoshta të gjithë”, thotë Verhoeven t’i ketë thënë Statham. “Unë i thashë: ‘Po, 100%”.

Mëngjesin tjetër gjërat morën zhvillim. Verhoeven ishte në mes të një vrapimi kur Statham e thirri.

“Vëlla, e prezantova emrin tënd. Ata e pëlqyen. Duan ta bëjnë. Do të më kontaktojnë, unë ua jap numrin tënd”, tregon holandezi.

Ishte planifikuar që Verhoeven fillimisht të përballej me Anthony Joshuan. Por kur karriera e britanikut u ndal nga një aksident i rëndë me veturë në nëntor, doli në pah diçka edhe më e madhe.

Lufta e Verhoeven me Usykun mund të duket absurde. Usyk është boksier i shkëlqyer dhe një nga më të mirët e dekadave të fundit.

Por Verhoeven beson se mungesa e përvojës dhe paparashikueshmëria e tij mund ta kthejnë atë që shumë njerëz e vlerësojnë të pamundur në realitet.

“Unë jam kikboksier. Qëndrimi im është i ndryshëm, lëvizja ime është e ndryshme dhe unë jam natyrshëm i madh, atletik. Kur ta godas, ai do të ndiej ndryshimin prej 20 kilogramësh në peshë”, ka thënë 37-vjeçari.

Verhoeven është i famshëm në vendin e tij të lindjes dhe së fundi përfundoi xhirimet e filmit “Road House 2”. Rrethi i tij i ngushtë përfshin emra të njohur si aktori amerikan Kevin Hart dhe ylli i Formula 1, Max Verstappen. Madje edhe Mbreti i Holandës është fans i tij.

Historia e Verhoeven filloi mes një fëmijërie të trazuar në afërsi të kufirit me Belgjikën. I rritur fillimisht nga nëna, që po luftonte me varësinë nga alkooli dhe droga, ai u zhvendos të jetonte me babanë në moshën gjashtëvjeçare.

Babai i tij ishte karateist fillimisht, por pas lëndimit filloi me boks e kikboks. Më pas nisi si trajner. Ai e ushtroi Verhoevenin me disiplinë. Shumë gjëra nuk i lejoheshin atij, por tani është falënderues për disiplinën që e mësoi.

Kishte periudha të dhimbshme distance, por Verhoeven u pajtua me babanë para vdekjes së tij. Po ashtu e rindërtoi lidhjen me nënën, që vdiq këtë vit, gjatë kampit stërvitor të luftëtarit holandez.

Dominimi i Verhoevenit në kikboks nuk mund të anashkalohet. Ai mbajti titullin e botës në kategorinë e rëndë në “Glory” për 12 vjet. Obsesioni i tij filloi në moshën nëntëvjeçare, derisa po shikonte holandezin tjetër, Peter Aerts, duke fituar titull të botës. Ndaj Aertsit shënoi fitore disa vjet më pas.

Për shkak të madhësisë, e kishte të vështirë të gjente kundërshtarë në adoleshencë. Në moshën 16-vjeçare kaloi te të rriturit. Pas vetëm dy luftërave i bëri të gjithë për vete. 

Por shumë tifozë të boksit e vlerësojnë të padrejtë që ai mori shansin për të luftuar për titull të botës në boksin profesionist, para shumë boksierëve që kanë kaluar shumë vjet duke u ngjitur në ranglista.

Verhoeven megjithatë e mbron vendimin e versionit WBC, duke këmbëngulur se ndeshja është plotësisht e justifikuar. 

“Si ajo që bëri Oleksandr në boks, unë bëra në kikboks për 12 vjet. I kam mposhtur të gjithë dhe nga disa herë. WBC është gjithashtu e vetmja organizatë e boksit që shikon në kikboks dhe Muay-Thai. Kështu që organizata më njohu dhe më dha meritat që më takojnë”.

Boksi megjithatë nuk është i panjohur për Verhoevenin. Për më shumë se 15 vjet ai është stërvitur nën urdhrat e Peter Fury dhe është përballur në stërvitje me Tyson Furyn, Dillian Whyten dhe kampionin e UFC-së, Tom Aspinall.

Ka pasur sportistë të tjerë që kanë kaluar në boks nga artet marciale, për ta kuptuar më pas se bëhet fjalë për sport të veçantë. Francis Ngannou dhe Conor McGregor janë në mesin e tyre.

Verhoeven thotë se tani po e kupton që boksi është më shumë art. 

“Ke 12 raunde për të pikturuar kryeveprën tënde. Më pëlqen kjo mendësi”, thotë ai.

Dhe nëse piktura në meçin në afërsi të piramidave të Gizës përfundon si duhet, ai e di se kë duhet të falënderojë.

“Mënyra se si do ta shpërblej Jasonin është duke bërë atë që i thashë se do ta bëj. Dhe kjo është duke bërë histori”, thotë Verhoeven.