Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

“Shtëpia” e xhudistëve kampionë do të shndërrohet në muze

xhudo

Një vizitë që e bëri të premten paradite, e ka bindur kryemjeshtrin Driton Kuka të marr vendimin që për kohë të gjatë po e mendonte. 

Salla e xhudos e klubit Ippon, e ndërtuar tri dekada më parë, do të shndërrohet më muze. Është shtëpia e kampioneve olimpike, Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit, por edhe e kampionëve si Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe shumë e shumë xhudistëve të tjerë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tani xhudistët e kryemjeshtrit Kuka ushtrojnë në sallën e Qendrës Nacionale të Xhudos, që ngadalë po kompletohet me objekte përcjellëse. Qendra Nacionale është dhjetëra metra larg sallës ikonike të klubit Ippon, në lagjen Asllan Çeshme në Pejë. Kjo sallë është e ndërtuar nga Driton Kuka me vëllezërit e tij, Sylën e Agronin, në pronë familjare. 

Aty nisi rritja e ekipit të Kosovës në xhudo, falë punës së madhe të kryemjeshtrit dhe xhudistëve të tij.

Pas ndërtimit të sallës së Qendrës Nacionale, salla e vogël është shfrytëzuar më pak, kryesisht për punë me të rinj. Dy javë më parë salla u mbyll për renovim, por kryemjeshtri ka vendosur që ajo gradualisht të shndërrohet në muze të xhudos kosovare.

Kuka të premten paradite e vizitoi sallën dhe vendosi për idenë që po e shqyrtonte për një kohë.

“Sot isha në sallë dhe pata shumë nostalgji. Sallën ku janë rritur gjithë xhudistët tanë të suksesshëm do ta bëjmë muze. Do ta shndërrojmë në muze ngadal e me kujdes maksimal. Do të ruhen tiparet që sallën e kanë karakterizuar prej fillimit. Kaminin karakteristik do ta kthejmë. Do të vendosim fotografi të veçanta dhe gjëra tjera të vlefshme nga rrugëtimi ynë unik”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN.

Për sallën e vogël që nxori kampionë të mëdhenj kanë shkruar edhe mediat e fuqishme botërore, si BBC, AP, Reuters, New York Times e shumë të tjera.

Media të fuqishme kanë dërguar shpesh ekipet e tyre në Pejë për të parë nga afër ku po rriteshin e po zhvilloheshin kampionët olimpikë të xhudos. Aty kanë ushtruar edhe qindra xhudistë elitarë nga vende të ndryshme, pasi xhudoja kosovare u shndërrua në superfuqi evropiane. 

Paradite dhe rregullisht në 18:30 pasdite, xhudistët janë rreshtuar para kryemjeshtrit Kuka për të nisur stërvitjet. Për dy orë, çdo mëngjes e çdo mbrëmje, xhudistët kanë derdhur shumë djersë që i shndërruan prej më të mirëve në botë.

Majlinda, kampione nga Rio 2016, dhe Nora, kampione nga Tokio 2020, tashmë i kanë dhënë fund karrierës dhe po punojnë si trajnere. Distria ia shtoi të artës olimpike nga Tokio 2020, të argjendtën në Parisi 2024 dhe do ta kërkojë medaljen e tretë olimpike në Los Angeles 2028. Të bronztë olimpike në Parisi 2024 fitoi Laura Fazliu, që po ashtu zhvillimin e madh e bëri në sallën muze.

Kryemjeshtri Kuka paraqitet më rrallë në sallën ikonike. Por puna që është bërë në të, është garanci për suksese të tjera kulmore të xhudos kosovare.