Luftarake

Top-xhudistët e Kosovës kthehen në gara

xhudo

Distria Krasniqi ka garuar pak këtë vit. Nisi në fillim të shkurtit me medalje të bronztë në Grand Slamin e Parisit. Në mars, në Grand Prix në Austri, fitoi medalje të argjendtë. Më 23 prill në Podgoricë fitoi medalje të artë në Kampionat Evropian, ndërsa më 13 qershor doli nënkampione e botës në Hungari.

Sportistja më e mirë në vend kthehet në garat e Turit Botëror të Xhudos këtë javë në Grand Prix në Zagreb. Turi Botëror i Xhudos përbëhet nga ngarjet kryesore të këtij sporti, në të cilin Kosova është superfuqi.

Javë më parë Distria u paraqit në Kampionatin Ballkanik për të rritur, ku shënoi disa fitore të shpejta e të lehta. Dhe tani kthehet në ngjarjet ku shkëlqen vazhdimisht.

Do të ishte befasi e madhe nëse Distria nuk zë vend sërish në podium.

Grand Prix në Zagreb fillon të premten dhe përfundoi të dielën. Do të paraqiten 398 xhudistë nga 49 shtete të ndryshme.

Krasniqi, që garon të premten, është bartëse e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe favorite e madhe për të artën.

Në kryeqendrën kroate garojnë edhe Flaka Loxha, Fationa Kasapi, Dardan Cena, Anes Veseli e Shpati Zekaj. Për të gjithë është garë shumë e rëndësishme. Flaka, Fationa, Dardani, Anesi e Shpati po e kërkojnë stabilizimin në nivelin senior dhe në Zagreb kanë rastin të dëshmojnë që janë në rrugën e duhur. Të gjithë këta vlerësohen me potencial për të fituar normë për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

“Në bazë të formës dhe nivelit që ka, Distria do të duhej të fitonte medalje në Zagreb. Për të tjerët të shohim. Garat Grand Slam e Grand Prix mbledhin xhudistët më të mirë dhe asnjëherë nuk është e lehtë. Por për të pretenduar gjëra të mëdha, duhet të jesh i suksesshëm në këto gara”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

“Nëse një xhudist merr medalje në garat Grand Slam e Grand Prix, atëherë ka nivelin që të fitojë medalje në të gjitha garat”, ka shtuar kryemjeshtri Kuka, që Kosovën e shndërroi në superfuqi të xhudos.

Në fund të nëntorit mbahet Grand Slami në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, paraqitet edhe në atë garë, njëjtë si Shpati Zekaj. Ndërkohë në Abu Dabi rikthimin do ta bëjë Laura Fazliu, top-xhudistja tjetër kosovare. Laura i ka dy gara të mëdha këtë vit. Në Grand Prix të Austrisë në mars fitoi medalje të bronztë, njëjtë si në Botërorin në Hungari më 13 qershor. Medaljen tjetër Laura e synon në Abu Dabi.

Akil Gjakova e ka një shqetësim fizik dhe nuk do të paraqitet në dy garat e këtij muaji.

Ngjarjet kryesore të vitit në xhudo – Botërori e Evropiani – tashmë kanë përfunduar. Kosova fitoi medalje, ndërsa trajneri Kuka po punon që medaljet e mëdha mos të mungojnë as në vitet e ardhshme.