NËPËR FILM

Drita Kaba-Karaga flet për filmin “Burri i shtëpisë”, të shtunën në “Nëpër Film”

Drita Kaba-Karaga

Të shtunën në “Nëpër Film” bashkëbisedojmë me aktoren e njohur nga Maqedonia e Veriut, Drita Kaba-Karaga. Në këtë intervistë ajo shpalos detaje rreth filmit të saj të ri, “Burri i shtëpisë”, me regji të Andamion Murataj. Filmi fokusohet te Frani, rol ky të cilin e luan Karaga. Është një personazh kompleks. Jeton si beqare, në traditën e një virgjëreshe të betuar shqiptare. Për t’u bërë nënë e mbesës së saj të vogël, e cila ka mbetur jetime, Frani duhet ta bëjë zgjedhjen e vështirë: të vazhdojë ta mbajë statusin e një burrneshe, ose të heqë dorë nga të gjitha dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës, të cilat ajo i ka ndrydhur për një kohë të gjatë.

Përveç tjerash sjellim një material për edicionin e 17-të të “PriFestit”, që për gjashtë ditë rresht ka bërë bashkë në kryeqytet adhurues të shumtë të filmit vendor dhe të huaj.

Nga skena e Hollyoodit në fokus është projekti i zhanrit aksion “The Rip”, që i bënë bashkë në ekran yjet, Matt Damon dhe Ben Affleck. Filmi lansohet së shpejti në Netflix.

Ndiqeni edicionin e ri të emisionit “Nëpër Film”, të shtunën në ora 16:30!