Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ishte e ftuara e radhës në emisionin “Nëpër Film”.
Në këtë bisedë u përmendën sukseset e kaluara të kinematografisë kosovare, fillimi i mbarë i vitit 2024 për QKK-në me triumfin e filmit “Krahët e punëtorëve” në Festivalin e Rotterdamit, projektet e shumta filmike që po xhirohen dhe pritet të lansohet këtë vit, pjesëmarrjen e Kosovës në “Berlinale” dhe shumëçka tjetër.
Zeqiri gjithashtu shpalosi detaje rreth filmit “Afterwar”, i financuar edhe nga Kosova, i cili e shënoi premierën botërore në edicionin e 74-t të festivalit ndërkombëtar të filmit në Berlin në kuadër të programit “Panorama”. Filmi që u shfaq të hënën vjen me regji të danezes Birgitte Stærmose dhe gërmon thellë në pasojat e luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), veçanërisht nëpërmjet syve të fëmijëve që tashmë janë të rritur.
Me një qasje të guximshme kinematografike dhe bashkëpunim të ngushtë me personazhet, Stærmose e sjell një rrëfim të thellë dhe poetik për luftën e përditshme për mbijetesë dhe kërkimin e dinjitetit në një vend të copëtuar nga lufta.