Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Si mund të kërkojë opozita kosovare timonin e shtetit, kur ende ëndërron “oborrin e pushtetit”?

Nëse analizojmë rolin, shpresën, po edhe ambicien e partive opozitare kosovare për pushtet dhe për shtet dhe, nëse të njëjtat i reduktojmë në një tematikë të vetme – se përse opozitarizmi nuk funksionon dhe përse ai ishte aq periferik e aq formal në skenën aktuale politike të Kosovës – duhet të kuptojmë si rrethanat specifike në të cilat demokracia po ndërtohet, ashtu edhe shkaqet e këtij periferizmi, sa interesant po aq edhe absurd.

Kjo çështje mund të shtrohet edhe më ndryshe: pra, përse opozita në periudhën e ngërçit nuk arriti ta konvertojë pakënaqësinë sociale dhe atë politike në një kapital të duhur simbolik? Paraprakisht më duhet ta sqaroj se problemi nuk ishte vetëm i natyrës organizative, por ishte edhe i frymës strukturore. Që nënkupton se opozita nuk arriti ta katapultoj e artikulojë sa duhet, të paktën në elektoratin e saj, dallimin midis këtyre dy detyrimeve që kanë të bëjnë me etikën politike dhe normën kushtetuese. Pra, duke u dëshmuar si e paaftë për këtë rol ndërmjetësuesi aktiv që ka të bëjë me raportin mes shoqërisë e shtetit, ajo duke u ngujuar në pozicionet indeferente në fakt e mundësoj dhe afirmoj kompromitimin e themeleve të “Republikës së parë” (asaj të Kaçanikut) dhe “Republikës së dytë” (asaj ahtisariane), e me këte e ndihmoj fillimin e instalimit të “Republikës së tretë” si opsesion jetik i Albin Kurtit

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe për ta kuptuar këtë çaloshje, apo këtë mungesë angazhimi të opozitarizmit, na nevojitet një analizë pak më subtile që shkon përtej aritmetikës elektorale dhe strukturës sociologjike, që ka të bëjë me frymën e besimit, natyrën e komunikimit dhe metodologjinë e mobilizimit qytetar. Por, për ta bërë këtë, paraprakisht duhet ta sqarojmë se çfarë mungon te opozita kosovare që ka rënë në këtë derexhe periferizuese në mendjet e qytetarëve. Pra, si mund të aktivizohen resurset e saj të “fjetura” në mënyrë shumë më efektive dhe në funksion të interesit të shtetit dhe vendit, tani kur para vetes kemi një muaj jo të plotë për ta testuar rejtingun e saj elektoral.

Në këtë kontekst, sonda jonë na dërgon në disa argumente që, në fakt, asaj mund t’i adresohen jo vetëm si mangësi, por edhe si defekte serioze strukturore.

1. Mungesa e narratives madhore e mobilizimit qytetar

Së pari, defekti kryesor i opozitës kosovare qëndron jo edhe aq te vetëkënaqësia dhe komoditeti i të qenit bashkëpjesëmarrëse e vendimmarrjeve parlamentare, ani pse ato ishin të pakëta në këto 3–4 vite, por te mungesa e asaj që në sociologjinë e lëvizjeve sociale shquhet e njihet si “narrativë” apo skemë kuptimore mobilizuese e motivuese për votuesit potencialë, që u jep arsye e motivim për aktivizëm qytetar, gjë që p.sh. LVV në vazhdimësi e ka bërë si kur ishte në opozitë ashtu edhe tani në mandatin qeveritar.

Pra, thënë më ndryshe, problemi i opozitës kosovare qëndron në faktin se kur debaton kundër qeverisë, ajo fare nuk bën përpjekje të japë alternativa të qarta, antipode e mobilizuese. Por gjithnjë edhe ato pak kritika e vërejtje që i jepte, në të shumtën e rasteve nuk ishin fare substanciale e ekzistenciale për elektoratin, por ricikloheshin kryesisht si inerte e formale. Dhe nëse pyesim se përse ishte kështu, përgjigjja më adekuate është se të tri subjekteve parlamentare opozitare u mungonte ai rrëfimi politik premtues, si drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, kriza apo ideja për një shtet funksional.

Por, si të aktivizohet ky potencial i “fjetur” diku në margjinat e zhvillimeve dhe proceseve aktuale që po i maturon shoqëria kosovare? Pra, si të ndërtohet kjo ide e re dhe e paprekur nga establishmenti aktual i LVV-së që, dorën në zemër, narrativat e mëdha (bashkimi i kombit, luftimi pa kompromis i krimit dhe korrupsionit, etj.) nuk i ka përmbaruar ende…

2. Kapitali simbolik dhe kriza e figurave publike

Së dyti, opozita aktuale duhet ta kuptojë më në fund se politikëbërja aktive në një tip demokracie çfarë po e ndërtojmë ne ende funksionon mbi parimet e asaj që shquhet si kapital simbolik (karizma e liderit, besimi në atë që premtohet, kredibiliteti dhe autoriteti moral, etj.).

Tjetër problem që mua dioptria sociologjike ma “detekton” ka të bëjë me faktin dhe aktin se në kulturën tonë emancipuese shumica e fytyrave opozitare ka kohë që kanë filluar të perceptohen si dështakë, si të konsumuar e të paaftë për të ofruar ndryshime të prekshme, sidomos për kontingjentet e reja elektorale që futen në tregun e punës. Kjo na dëshmon se brezat e rinj politikanët aktualë shumë më shumë i projektojnë si njerëz që përveç interesave dhe karrierës së tyre personale asgjë tjetër nuk kanë në mendje. Kësaj bindjeje shto këtu edhe hipotekën e fajësisë për qeverisje me përplot skandale dhe marrëveshje të dëmshme që edhe pas dy dekadash nuk arritën t’i finalizojnë proceset dhe sfidat e sovranitetit bashkë me ato të negocimit me Serbinë.

Pra, në perceptimet publike opozitarët ka kohë që projektohen si kastë që u mungon ajo që në politikë shquhet si autenticitet politik, apo integritet i pakontestuar e i pakomprometuar i bagazhit politik. Thënë edhe më ndryshe, opozita e tanishme, pra tri subjektet parlamentare, në rast se dëshirojnë të futen në një konkurrencë të ashpër me LVV-në, duhet pa asnjë dyshim të promovojnë fytyra të reja që përfaqësojnë interesat dhe gamat e brezit të ri (mos të harrojmë që për çdo vit në Kosovë futen kontingjente të reja ku numërohen 30 deri 35 mijë votues!), pastaj të distancohen nga përvojat e kaluara si Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 që po ashtu mund t’i avancojnë vetëm të rinjtë që dinë, munden dhe e rrisin konkurrencën tashmë të ashpërsuar dhe të politizuar politike.

3. Aktivizimi i votuesve dhe strategjia e re mobilizuese

Së treti, mendoj gjithashtu se opozitarët, nëse dëshirojnë ta rrisin “peshën e tyre specifike” në sytë e elektoratit që tashmë ka një tjetër “orbitë” emancipuese e profesionale, duhet të fillojnë të hulumtojnë mënyra të reja për të aktivizuar potencialin e votuesve të heshtur (“vota gri”), apo si thuhet votuesve të pavendosur, të cilët nga përvojat e kaluara zgjedhore e sidomos ato të 28 dhjetorit, ditën të përmbysin kalkulimet hipotetike të opozitës lidhur me dobësimin e LVV-së. Kurse për zgjedhjet e 7 qershorit mbetet për t’u vërtetuar apo demantuar afinitetet, synimet, po edhe ambiciet e këtij kontingjenti, për mua shumë inteligjent për ta “mirëmbajtur” qëllimin e tyre premtues ndaj LVV-së.

Një këshillë tjetër jo obliguese për të gjitha partitë parlamentare, po edhe ndonjë të re që ka vendosur t’ia mësyjë altarit të Kuvendit të ri që do të dalë pas 7 qershorit, ka të bëjë me një strategji e ofertë të re (që kanë të bëjnë me politika konkrete, si punësimi, mirëqenia, se po na vjen një krizë e thellë dhe sidomos një premtim për arsimin, se jemi duke prodhuar analfabetë funksionalë) shumë më praktike e pragmatike për studentët, për diasporën e sidomos për shtresën e mesme urbane. Sepse aty kanë shanse ideale për ta rikuperuar veten dhe programin e tyre.

4. Monologu i mbyllur dhe humbja e terrenit shoqëror

Sepse, siç jemi dëshmitarë në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, partitë politike tona komunikimin e vet politik e kanë zhvilluar kryesisht me degët e veta militante nëpër terren, duke harruar tërësisht kontingjentet e shtresave për të cilat po aludoj. Në këtë fushatë që veç ka nisur duhet pasur parasysh edhe një element tjetër përmbajtjesor që në gjuhën sociologjike shquhet si “hegjemoni kulturore”, apo si narrativë dominante që e ka ndërtuar me mjeshtri LVV, e të cilës opozita gjatë ngërçit fare nuk arriti t’i konkurrojë qeverisë në dorëheqje, ngase ishte “pronësuar” më herët.

5. Nga zhurma në argument, kriza e diskursit opozitar

Opozita po ashtu, nëse do me rritë kuotën e votave, e ka për obligim që gjatë fushatës të mos mërizojë, por të reagojë në debate që do mbahen. Dhe atë jo me zhurmë e kakofoni, por me argumente bindëse shkencore dhe me gjuhë që e kuptojnë të gjithë, sidomos kur janë në pyetje temat rreth ekonomisë që është në krizë, rreth shëndetësisë kaotike, rreth dukurisë së migrimit të pandalur, rreth arsimit të ngecur, etj.

6. Fragmentarizimi dhe nevoja e koordinimit të brendshëm strategjik

Gjithë kësaj strategjie, kur i shtohet edhe një qasje e re bashkëpunimi ndër-opozitar që ka munguar kahmot shkaku i polarizimeve dhe humbjes së besimit të ndërsjellë në koalicionet e brishta, shanset mund të kapitalizohen dukshëm. Fragmentarizimi i tepruar opozitar, subjektet parlamentare kosovare i ka bërë shumë më konkurruese mes vete sesa me qeverinë.

Atyre tani u duhet një koordinim minimal strategjik që mund të gjendet me mirëkuptim në formë të koalicioneve tematike (jo domosdoshmërisht elektorale), pastaj në formë të mesazheve të përbashkëta për tema kyçe që kanë të bëjnë me interesin e shtetit, ku emocioni në debate ka me qenë instrument shumë i rëndësishëm në mobilizimin e votuesve. Fakt që elektoratin kosovar e bën tejet të ndjeshëm emocionalisht janë edhe vuajtjet e sakrificat që u paguan si faturë për lirinë dhe shtetësinë që e gëzojmë sot të gjithë.

7. Dobësitë e tjera shtesë që duhet pasur parasysh opozita

Nëse, përveç hipotekës për qeverisje të dobët në të kaluarën ende të freskët në memorien kolektive qytetare, dobësi tjera shtesë të opozitës kosovare në pesë vitet e fundit mund të përmblidhen edhe këto: mungesa e unitetit, mungesa e një alternative të qartë ndaj qeverisë Kurti, dobësia në komunikim me publikun dhe rënia e besueshmërisë në sondazhe. Këta faktorë kanë bërë që opozita të mos arrijë të mobilizojë elektoratin dhe të mbetet në hije të qeverisë Kurti 2. Ajo po ashtu asnjëherë s’ka arritur të artikulojë qartë qëndrime të forta për dialogun me Serbinë, pastaj për proceset dhe sfidat e integrimit evropian apo menaxhimin e krizave ekonomike dhe zbehjen e standardit jetësor. Ajo në shumicën e këtyre temave ekzistenciale më shumë ishte në rolin e kritikuesit sesa të ofertuesit të një alternative konkurruese me LVV-në.

Në thelb, kriza e opozitës kosovare ishte krizë e ndërmjetësimit publik, ngase ajo dështoi ta lidhë interesin e lakmisë për pushtet, që është i përkohshëm, me interesin e patriotizmit për shtet, që është i përjetshëm. Dhe nëse, në zgjedhjet e 7 qershorit, ajo sërish nuk arrin ta artikulojë dhe strukturojë qartë vijën ndarëse mes lakmisë për pushtet dhe përgjegjësisë për shtet, duke e shndërruar këtë dallim në veprim politik, atëherë ajo nuk do të mbetet thjesht në periferi, por rrezikon sikurse në Shqipëri të shndërrohet në një zhurmues politik, por pa ndonjë ndikim real.

Në këtë rast, opozita kosovare nuk do të humbasë vetëm zgjedhjet, por do të pësojë edhe një debakël të qartë në përpjekjen për të fituar legjitimitetin e pretenduar për një rol politik substancial në vend. E opozita që nuk ndërton narrativë alternative konkurruese në skenën politike, nuk mund të shquhet opozitë e njëmendtë, por vetëm një komentatore dhe altoparlantë e pushtetit.

Në fund të fundit, fuqia e opozitës aktuale nuk do matet tani vetëm me praninë e saj në studiot e shumta televizive, por me aftësinë për të animuar besim, alternativë dhe bindje te qytetari i larguar. Pa këtë sens dhe aftësi mobilizuese, ajo edhe më tej do të mbetet në margjinat e zërave shterpë pa jehonë të madhe dhe pa ndonjë peshë të theksuar që do ndikonte në rrjedhat dhe sfidat që po e presin Kosovën në agjendat euroatlantike dhe sidomos me Serbinë.

(Autori është profesor i sociologjisë)