Rajon

Protestat në Serbi mund të jenë përpjekje për “revolucion me ngjyra”, thotë Kremlini

Dmitry Peskov

Foto: Associated Press

Kremlini ka thënë të hënën se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që protestat antiqeveritare në Serbi, një aleat i ngushtë i Rusisë, të mund të ishin një përpjekje për "revolucion me ngjyra”.

Pavarësisht kësaj, Kremlini është i sigurt se udhëheqja serbe mund të rikthejë qetësinë, raporton Reuters.

Policia serbe është përleshur të shtunën me protestuesit antiqeveritarë që kërkonin zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të presidentit, Aleksandar Vuçiç.

"Pavarësisht faktit se Serbia është, sigurisht, nën një presion të paparë, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që atje po përdoren metoda të njohura për të provokuar ‘revolucione me ngjyra’", u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

"Nuk kemi dyshim se udhëheqja aktuale serbe do të jetë në gjendje të rikthejë rendin dhe ligjin në republikë në një të ardhme shumë të afërt", ka shtuar ai.

Rusia tradicionalisht e ka konsideruar Vuçiqin si një aleat të ngushtë dhe udhëheqësi serb ishte në Moskë më 9 maj për të parë paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të mbajtur për të përkujtuar fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Disa muaj protestash në të gjithë Serbinë, përfshirë mbylljen e universiteteve, e kanë tronditur Vuçiqin, mandati i dytë i të cilit përfundon në vitin 2027, kur janë planifikuar edhe zgjedhjet parlamentare.

Vuçiqi ka thënë se "fuqi të huaja" të paspecifikuara qëndrojnë pas protestës të së shtunës dhe se protestuesit kanë tentuar të "rrëzonin Serbinë", por kanë dështuar.

Lexo përditësimet tjera
Beograd

Vazhdojnë tensionet në Beograd, policia heq bllokadat dhe bën arrestime të reja

Policia serbe ka hequr bllokadat e rrugëve në kryeqytetin Beograd të hënën herët, të cilat ishin...