Në vazhdën e koncerteve që kanë shkundur rajonin, këngëtari i njohur kroat, Marko Perkoviq – Thompson, në një fjalim në koncertin në Sinj të Kroacisë ka “goditur” kundërshtarët e këngëve të tij nacionaliste.
Duke komentuar këngën “Çavoglave” që historikisht ka nxitur reagime, Thompson ka thënë se kënga edhe me vendim gjyqësor është e lirë.
“Gjithsesi, kemi ‘politikanë jugosllavë’ që nuk e njohin as gjykatën... Por kjo s’është çështja. Dua thjesht të them miq se kjo është liria e shprehjes. Liri për të cilën mbrojtësit tanë vdiqën, luftuan, derdhën gjak. Që të jemi të lirë, të jemi të lirë të flasim”, ka thënë ai në koncertin e së hënës. “Por ata që duan të jetojnë në këtë vendlindjen tonë duhet t’i respektojnë mbrojtësit kroatë dhe simbolet e tyre. Zotërinj, shokë, Jugosllavia nuk ekziston më. Jugosllavia është e vdekur”, ka thënë ai teksa është përshëndetur me brohoritje të mëdha nga publiku.
VIDEO:
Poruka Marka Perkovića THOMPSONA ( Gosp : drugovi Sugoslavije vise nema 💪🇭🇷✌️ pic.twitter.com/NpcDUV0bEo
Javë më parë, Perkoviq u bë lajm botëror me koncertin me rreth gjysmë milioni njerëz të pranishëm në Zagreb. Ai njihet për këngët me qasje nacionaliste. Një prej këngëve të tij të famshme nis me një përshëndetje “Për vendlindjen – Gati”, që përdorej nga regjimi i ushtashëve në Kroacinë e kohës së nazizmit.
Perkoviq, emri skenik i të cilit është Thompson për shkak të armës amerikane, ka thënë se këngët e tij, që nga shumë cilësohen kontroverse dhe nxitëse, janë “dëshmi e përfundimit të një epoke”. Ai ka thënë se ato janë të lidhura me fundin e luftës së Kroacisë dhe shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia. Lufta e të ’90-tave shpërtheu kur serbët lokalë, të mbështetur nga Serbia, synuan të ndaheshin nga Kroacia dhe të bashkoheshin me Serbinë.
Fama e Perkoviqit në Kroaci, siç ka shkruar “Associated Press”, reflekton ruajtjen e sentimentit nacionalist edhe 30 vjet pas luftës.
Trupat e quajtur ustashe në Kroaci kishin vrarë dhjetëra mijëra serbë, hebre e romë gjatë kampeve të përqendrimit në shtet. Pavarësisht mizorive të dokumentuara, disa nacionalistë ende i shohin udhëheqësit e regjimit ustash si themelues të shtetit të pavarur kroat.
Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq, i pati kritikuar koncertet e Perkoviqit duke i quajtur “paraqitje të përkrahjes për nazizmin”. Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se ky koncert ka qenë turp për Kroacinë dhe Bashkimin Evropian sepse “glorifikon vrasjen e njerëzve të një kombi, në këtë rast Serbisë”.
Kroacia iu bashkua BE-së më 2013.