Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është detyruar të ndërpresë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përkeqësimit të papritur të gjendjes shëndetësore. Sipas burimeve jozyrtare të “Blic”, Vuçiqi kërkoi ndihmë mjekësore dhe, pas ekzaminimeve, mori vendimin të kthehet menjëherë në Serbi. Ngjarja ndodhi në orët e pasdites të së premtes.
Nga kabineti i presidentit të Serbisë është bërë e ditur se publiku do të informohet më hollësisht në ditët në vijim për gjendjen e tij dhe arsyet e tërheqjes nga vizita.
Në momentin e përkeqësimit të shëndetit, Vuçiqi ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Sinisha Mali, dhe këshilltarja për media, Suzana Vasiljeviq. Ata po përgatiteshin për takime të rëndësishme pas një takimi me kongresmenen Claudia Tenney, ish-guvernatorin Rod Blagojeviq dhe disa sipërmarrës serbë që jetojnë në SHBA.
Vuçiç kishte udhëtuar drejt SHBA-së më 30 prill, me një agjendë që përfshinte takime me zyrtarë të lartë të Partisë Republikane dhe me presidentin amerikan, Donald Trump. Gjatë fillimit të vizitës, ai u takua edhe me ish-kryetarin e bashkisë së New Yorkut dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Trumpit, Rudy Giuliani.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për misione speciale, Richard Grenell, konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social “X” se Vuçiqi po e anulonte pjesën e mbetur të vizitës për shkak të gjendjes shëndetësore.