Aktori amerikan, Pat Finn, i njohur për rolet e tij në seriale shumë të ndjekura si “Friends”, “Seinfeld” dhe “The Middle”, ka vdekur në moshën 60-vjeçare.
Sipas mediave amerikane, Finn ka vdekur të hënën në shtëpinë e tij në Los Angeles, pas një beteje disa-vjeçare me kancerin. Ai po trajtohej për sëmundjen që nga viti 2022.
“Pat nuk ka takuar kurrë një të panjohur, vetëm miq që ende nuk i njihte,” thuhet në deklaratën e familjes së tij, të publikuar në rrjete sociale. Aty shtohet se ai “e jetoi jetën plotësisht, me gëzim dhe energji”, ka raportuar BBC.
Roli i parë televiziv i Finnit ishte në vitin 1995 në serialin “The George Wendt Show”, ku luante rolin e vëllait të personazhit kryesor. Më pas, ai mori pjesë në projektin filmik “Murphy Brown” mes viteve 1995 dhe 1997.
Në vitin 1998, ai u shfaq në “Seinfeld” në rolin e Joe Mayo, një organizator festash i njohur për zakonin e tij për t’ua deleguar mysafirëve punët më të bezdisshme. Gjatë fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, Finn ishte i pranishëm në shumë seriale të njohura, përfshirë “King of Queens”, “Friends”, “That ’70s Show” dhe “House”.
Ai njihet më së shumti për rolin e Bill Norwood në serialin “The Middle”, ku u shfaq për tetë sezone, nga viti 2011 deri më 2018.
Në film, Finn ka luajtur në tituj si “It’s Complicated” ( në vitin 2009) dhe “Santa Paws 2: The Santa Pups” (në vitin 2012).
Përveç aktrimit, Pat Finn ishte edhe pedagog. Ai ka ligjëruar si profesor i jashtëm në Universitetin e Kolorados dhe ishte pjesë e trupës së improvizimit Beer Shark Mice.
“Pat ka trajnuar dhe është shoqëruar me studentë të panumërt ndër vite dhe është e vështirë të gjesh dikë që të ketë një fjalë të keqe për të”, ka shkruar familja e tij.
Aktori Richard Kind e ka përkujtuar Finnin me fjalët: “Nuk ka pasur njeri më të sjellshëm, më të butë dhe më qesharak. Gjithmonë pozitiv, gjithmonë duke të ndihmuar të bëheshe më i mirë. Një baba i mrekullueshëm dhe një njeri i rrallë”.
Pat Finn lë pas bashkëshorten Donna, tre fëmijë, si dhe prindërit dhe vëllezërit e motrat.