Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Alec Baldwin dëshiron të pensionohet nga aktrimi

Alec Baldwin

Alec Baldwin

Foto: Associated Press

Aktori amerikan Alec Baldwin ka treguar se po mendon seriozisht të tërhiqet nga aktrimi dhe të përqendrohet te familja, pas ngjarjes tragjike në xhirimet e filmit “Rust”.

Ngjarja ka ndodhur në muajin tetor të vitit 2021, kur arma që ai mbante në set u shkrep aksidentalisht, duke vrarë drejtoreshën e fotografisë, Halyna Hutchins, dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza. Pas kësaj, Baldwin u përball për një kohë të gjatë me akuza për vrasje nga pakujdesia, por ato u rrëzuan dhe çështja tashmë është mbyllur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, aktori ka thënë se pasojat emocionale dhe personale vazhdojnë.

“Kishim këtë incident, këtë tragjedi në New Mexico, ku Halyna Hutchins u vra në setin e filmit, dhe kjo ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u përballuar…”, ka thënë ai për “Hollywood Reporter”.

Baldwin tregoi se pas ngjarjes ka qëndruar kryesisht në shtëpi.

“Për shkak të situatës në New Mexico, që ishte shumë e dhimbshme, përfundova duke qëndruar shumë në shtëpi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kjo periudhë i ka ndryshuar mënyrën e jetesës.

“Qëndrova në shtëpi me fëmijët e mi për tre vjet e gjysmë. Pothuajse nuk punova fare, dhe kjo tani po ndryshon. Do të filloj të merrem me disa projekte”, ka thënë aktori.

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ka më dëshirë të largohet nga familja.

“U mësova me këtë jetë dhe nuk dua më të largohem nga shtëpia. Nuk dua. Nuk dua të punoj më. Vërtet nuk dua. Dua të dal në pension dhe të qëndroj në shtëpi me fëmijët e mi”, ka thënë ai.

Baldwin ka shtatë fëmijë nën moshën 13 vjeç me bashkëshorten Hilaria, si dhe një vajzë 30-vjeçare nga martesa e mëparshme me yllin Kim Basinger.

Në vitin 2024, akuzat ndaj tij u rrëzuan përfundimisht pasi një gjykatës vendosi se prokurorët kishin fshehur prova që mund të ndihmonin në sqarimin se si municioni i vërtetë përfundoi në set.

Aktori ka folur për përvojën e tij edhe në dokumentarin “The Trial of Alec Baldwin”, i cili ende nuk është publikuar.

“E xhiruam gjatë gjyqit në New Mexico. Regjisorja më kërkonte vazhdimisht më shumë kohë: ‘A mund të të marr edhe 20 minuta këtu? Kemi dritat dhe kamerën gati’”, ka shpjeguar ai.

Baldwin ka theksuar se kjo periudhë ka ndikuar në çdo aspekt të jetës së tij: financiarisht, në karrierë, në familje dhe në shëndet.

Ai ka treguar edhe për problemet shëndetësore që ka përjetuar.

“Isha shumë i sëmurë. Duhej të ktheheshim dhe të përfundonim filmin ‘Rust’ në Montana si pjesë e marrëveshjes me bashkëshortin e saj. Ishte e detyrueshme. Kisha një problem nervor që lidhet me ilaçet për tensionin, që të shkakton të fikët. U rrëzova pa ndjenja tre herë gjatë një fundjave dhe një herë rashë mbi gruan time. Ishte e çmendur, ishte e tmerrshme”, ka thënë ylli.

Ai ka kujtuar gjithashtu disa ditë shumë të vështira.

“Kisha tetë ditë që nuk mund të ngrihesha nga shtrati dhe e kisha të vështirë të ecja”, ka thënë Baldwin.

Pavarësisht gjendjes, ai u detyrua të rikthehej në xhirime.

“Duhej të bëja fizioterapi për dy javë dhe më pas të hipja në kalë e të kthehesha në Montana për të përfunduar filmin, përndryshe do të më padisnin rëndë”, ka thënë ai.

Në fund, ai pranon se nuk arriti performancën që dëshironte.

“Arrita ta përfundoj, por nuk dhashë performancën që doja sepse isha i sëmurë. Megjithatë, bëra më të mirën që munda”, ka thënë ai.