Aktori i njohur, Brad Pitt, ka festuar në mënyrë të qetë dhe pa zhurmë ditëlindjen e tij të 62-të, të enjten më 18 dhjetor, pranë të dashurës së tij, Ines de Ramon.
Sipas burimeve, aktori i famshëm i Hollywoodit ka zgjedhur një festë modeste, vetëm me De Ramonin dhe një rreth të vogël miqsh të afërt. Ai thuhet se po kalon shumë mirë në lidhjen e tij dhe se ndihet i lumtur me partneren e tij.
“Brad preferon të jetojë më qetë këto ditë, ndaj nuk do të ketë festa të mëdha me kostume apo torta gjigante me pesë kate, si ato të Jennifer Lopezit.”, ka thënë një burim për Daily Mail.
Ndërkohë De Ramon feston ditëlindjen e saj të 33-të sot e premte, më 19 dhjetor.
Pitt, i cili ka nisur lidhjen me De Ramonin, një drejtuese në industrinë e stolive luksoze, që nga viti 2022, thuhet se po shijon “pak kohë të nevojshme pushimi” përpara se të nisë xhirimet e një filmi të ri vitin e ardhshëm.
Muajin e kaluar, çifti u shfaq shumë i afërt gjatë një mbrëmjeje romantike, pasi morën pjesë në premierën të filmit të ri “Jay Kelly”, me aktorët e njohur, George Clooney, Adam Sandler dhe Laura Dern, në Los Angeles.
“Dukeshin shumë të dashuruar. Ai ishte në humor shumë të mirë dhe dukej i lumtur që ishte aty për të festuar suksesin e mikut të tij. Brad dhe Ines biseduan për pak me Clooneyn dhe më pas folën edhe me Bonon”, ka thënë një burim për People.
Ylli i filmit për Formula 1 thuhet se është i lumtur që e ka De Ramonin “në krahun e tij”.
“Brad dhe Ines po ecin shumë mirë në marrëdhënien e tyre. Brad është i lumtur që e ka atë pranë dhe është i përqendruar te e ardhmja”, pati thënë një burim për The Entertainment Tonight.
Pitt ka qenë më parë i martuar me aktoret Jennifer Aniston dhe Angelina Jolie, por burimet thonë se tani ai është i fokusuar te kapitulli i ardhshëm i jetës së tij.
“Ai po përpiqet të mos lejojë që shqetësimet apo problemet e së kaluarës ta ndikojnë dhe e vlerëson shumë sa është rritur si njeri, duke dashur të vazhdojë këtë rrugë edhe në të ardhmen”, ka thënë i njëjti burim.