Showbiz

Brad Pitt kërkon që gjykata ta detyrojë Angelina Jolien të dorëzojë emailet private

Angelina Jolie dhe Brad Pitt

Angelina Jolie dhe Brad Pitt

Foto: Associated Press

Aktori, Brad Pitt ka akuzuar ish-bashkwshorten e tij, aktoren, Angelina Jolie për “keqinformim të qëllimshëm” në betejën gjyqësore që po vazhdon prej vitesh rreth kantinës së verës Chateau Miraval, që dikur e zotëronin bashkë.

Çifti i dikurshëm, që u nda në vitin 2016 pas 12 vjetësh lidhjeje, është përfshirë në një konflikt ligjor që nga viti 2021, kur Jolie e shiti pjesën e saj të pronësisë në Miraval. Sipas dokumenteve të reja të dorëzuara në gjykatë nga Pitt, 61-vjeçari kërkon që gjykata ta refuzojë kërkesën e ish-bashkëshortes për 33 mijë dollarë dhe ta detyrojë atë të dorëzojë disa emaile private që, sipas tij, ajo i ka fshehur me vetëdije.

Pitt kërkon të shohë komunikimet mes Angelinës dhe menaxherit të saj të biznesit Terry Bird, publicisteve britanike Chloe Dalton dhe Arminka Helic, si dhe dy këshilltarëve financiarë.

Në dokumentet që ka siguruar revista Us Weekly, Pitt thekson se vetë Jolie, në një deklaratë të saj, ka pranuar se është “praktikë e saj e zakonshme të zhvillojë biseda të gjata me menaxherin e biznesit Terry Bird për pothuajse të gjitha aspektet e jetës së saj profesionale”, përfshirë diskutime për “këshilla ligjore dhe strategji të propozuara”.

Sipas Pittit “ajo që Jolie përshkruan këtu janë seanca idesh mes personash që nuk janë juristë. Vetëm pse këto diskutime kanë ndodhur para ose pas marrjes së këshillave nga një avokat, kjo nuk i përjashton ato nga detyrimi për t’u dorëzuar në gjykatë”.

Pas më shumë se tre vjetësh proces, ai pretendon se “ende mungojnë shumë emaile” dhe se Angelina “ka dorëzuar vetëm një email të brendshëm që përmend kushtet e shitjes”.

Pitt ka kritikuar gjithashtu refuzimin e Joliet për t’i dorëzuar vullnetarisht emailet për rishikim gjyqësor.

“Është e çuditshme që Jolie ka refuzuar ta bëjë këtë, pasi do të ishte mënyra më e lehtë për të treguar se ajo ka fshehur vetëm pjesë që përmbajnë këshilla ligjore”, ka thënë ai.

Ndërkohë, avokatët e Joliet kanë reaguar ashpër, duke e akuzuar Pittin për “përpjekje për ta kontrolluar dhe ngacmuar” ish-bashkëshorten e tij.

“Përgjigjja e z. Pitt nuk i adreson argumentet tona dhe mbështetet ende në hamendje, vetëm për të depërtuar në komunikimet e privilegjuara të zonjës Jolie me avokatët e saj. Kjo tregon edhe një herë se padia është manifestim i përpjekjeve shumëvjeçare të z. Pitt për të ngacmuar dhe kontrolluar Angelinën”, ka deklaruar avokatja e saj.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie, që u martuan në vitin 2014 dhe e finalizuan divorcin në dhjetor 2024, vazhdojnë të jenë në konflikt për pronësinë e Chateau Miraval.

Pasi pjesën e saj të pronës ajo ia shitur kompanisë Tenute del Mondo (që i përket grupit të verërave “Stoli”), Pitt ngriti padi në muajin shkurt të vitit 2022 duke pretenduar se Jolie e kishte shitur pa miratimin e tij, ndonëse kishin marrëveshje që asnjëri të mos e bënte këtë pa pëlqimin e tjetrit.

Në muajin shtator të po atij viti, aktorja e filmit “Maleficent” ka reaguar me një kundërpadi, duke e akuzuar yllin e filmit “Once Upon a Time in Hollywood” se “ka zhvilluar një luftë hakmarrëse kundër saj që nga momenti i ndarjes”.