Showbiz

“Oscar” edhe pak do të transmetohet vetëm në Youtube

Tepihu i kuq i ceremonisë së ndarjes së çmimeve "Oscar"

Tepihu i kuq i ceremonisë së ndarjes së çmimeve "Oscar"

Foto: Associated Press

Ceremonia prestigjioze e ndarjes së çmimeve “Oscar”, që organizohet nga Akademia e Filmit, do të largohet nga transmetimi tradicional në televizion dhe do të transmetohet ekskluzivisht në platformën YouTube duke nisur nga viti 2029, një ndryshim historik për industrinë e showbizit.

CNN ka raportuar se kjo do të thotë se pas dekadash në ekranin e televizionit ABC, çmimet më të famshme të kinemasë do të kalojnë plotësisht në transmetim online.

Academy of Motion Picture Arts and Sciences ka njoftuar të mërkurën se YouTube ka nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare për “të drejtat ekskluzive globale të transmetimit të çmimeve ‘Oscar’”. Marrëveshja do të zgjasë deri në vitin 2033.

Ky zhvillim nënvizon një zhvendosje të madhe pushteti në industrinë e medias, e cila është transformuar thellësisht nga platformat e transmetuese si YouTube dhe Netflix. Televizioni ABC, në pronësi të gjigandit Disney, ka qenë shtëpia e “Oscarëve” për dekada dhe do të vazhdojë ta transmetojë ceremoninë deri në vitin 2028.

Që disa javë, Akademia kishte nxjerrë në ankand të drejtat e transmetimit për vitet e ardhshme, duke nxitur spekulime se një kompani e madhe teknologjike do të hynte në garë. Sipas njoftimit, YouTube ka fituar ofertën ndaj ABC-së dhe konkurrentëve të tjerë, ndonëse detajet financiare nuk janë bërë publike.

“‘Oscarët’ janë një nga institucionet kulturore më të rëndësishme, që nderojnë përsosmërinë në tregim dhe art. Partneriteti me Akademinë për ta sjellë këtë festë të artit dhe argëtimit te shikuesit në mbarë botën do të frymëzojë një brez të ri krijuesish dhe dashamirësish të filmit, duke qëndruar besnik ndaj trashëgimisë së pasur të ‘Oscarëve’”, ka thënë në një deklaratë shefi ekzekutiv i YouTubeit, Neal Mohan.

Përmendja e trashëgimisë së Akademisë ka jehonë të veçantë në Hollywood, ku krijuesit janë të ndarë mes ruajtjes së formave tradicionale të tregimit dhe përqafimit të platformave të orientuara drejt audiencës, si YouTube dhe Netflix.

Reagimet kritike nuk kanë munguar.

“YouTube që transmeton ‘Oscarët’ është si të shtrëngosh dorën me njeriun që po përpiqet të të vrasë”, ka shkruar skenaristi Daniel Kunka në rrjetin social X pas njoftimit.

Nga ana tjetër, YouTube e sheh veten si një platformë që inkurajon eksperimentimin me teknologji të reja dhe forma të reja shpërndarjeje. Platforma ka investuar edhe më parë në financimin e filmave origjinalë.

Megjithatë, “Oscarët” vazhdojnë të fokusohen kryesisht te filmat që shfaqen në kinema, edhe pse gjithnjë e më shumë shikues i shohin ato më vonë në platforma transmetuese.

Filmi “Anora”, fitues i çmimit “Filmi më i mirë” në vitin 2025, u prezantua fillimisht në Festivalin e Kanës, më pas u shfaq në kinema dhe vetëm disa muaj më vonë u publikua në platformën Hulu.

ABC ka reaguar me një deklaratë duke theksuar rolin e saj historik.

“Kemi qenë shtëpia krenare e ‘Oscarëve’ për më shumë se gjysmë shekulli. Presim me padurim tre transmetimet e ardhshme, përfshirë festimin e 100-vjetorit të ceremonisë në vitin 2028, dhe i urojmë Akademisë suksese të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e televizionit.