Aktorja Cynthia Nixon, e cila ka luajtur rolin e Miranda Hobbs në serialin ikonik “Sex and the City”, ka pranuar se disa aspekte në serialin e famshëm “nuk kanë shkuar mirë”.
Në një intervistë për revistën Grazia, Nixon, tashmë 59 vjeçe, ka thënë se ndonëse pjesa më e madhe e serialit mbetet “shumë e mirë”, disa pjesë nuk do të funksiononin nëse seriali do të realizohej sot.
“Ka qenë gjithmonë shumë e vështirë të jesh pjesë e një shfaqjeje që ishte e mbushur me njerëz të bardhë. E kam urryer gjithmonë këtë. Kur e ngrinim këtë çështje, na thuhej: kjo është bota e autores, Candace Bushnell, dhe është një botë shumë e bardhë. Dhe unë thoja: ‘Ok…’”, ka thënë aktorja.
Nixon ka shtuar gjithashtu se disa mënyra se si ishin trajtuar temat për personat trans dhe për komunitetin LGBTQ+ në serial, sot janë të vështira për t’u parë.
“Disa gjëra për personat trans, disa gjëra për personat homoseksualë, janë paksa të turpshme për t’u parë sot”, ka thënë tutje ajo.
Megjithatë, ylli ka theksuar se seriali “Sex and the City” ka qenë gjithmonë feminist.
“Ka qenë gjithmonë një shfaqje feministe. Duhet ta kujtojmë që ne ishim në të tridhjetat dhe të dyzetat tona. Sigurisht, kur e shohim sot, dukemi si foshnja, por të jesh beqare në atë moshë, në atë kohë, ende kishte një lloj stigme”, u shpreh ajo.
Karakteri i Nixonit, Miranda, që në serialin e rikthyer “And Just Like That” doli hapur si lesbike, pasqyron edhe jetën e saj reale, pasi Nixon është e martuar me aktivisten Christine Marinoni.
Ajo ka thënë se “Sex and the City” kishte një mesazh të fuqishëm dhe revolucionar për kohën kur u transmetua.
“Ti mund të jesh grua, të bësh shumë marrëdhënie intime me njerëz të ndryshëm. Kjo nuk të bën lavire dhe nuk do të thotë që po e përdor ‘seksin’ për të përfituar diçka. Po bëje marrëdhënie intime– sepse e pëlqeje!”, ka thënë tutje Nixon.
Ajo ka kujtuar gjithashtu reagimet e ashpra që morën ajo dhe koleget e saj Sarah Jessica Parker, Kristin Davis dhe Kim Cattrall kur seriali doli për herë të parë.
“Njerëzit kanë qenë gjithmonë shumë të pasionuar rreth ‘Sex and the City’ dhe tani për ‘And Just Like That’. Më duket se ‘Sex and the City’ tani është vendosur në kujtesë dhe sentimentalitet, por në fillim njerëzit na urrenin. Ata thoshin vazhdimisht: ‘Këto nuk janë gra të vërteta, këta janë burra që aktrojnë si homoseksual. Gratë nuk flasin kështu. Gratë nuk flasin për ‘seks’ në këtë mënyrë”, pati thënë ajo për Page Six.
Deklaratat e Nixonit vijnë në një moment kur seriali po analizohet me më shumë sy kritik për mënyrën se si trajtoi çështjet e racës, përfaqësimit dhe identitetit gjinor. Por, sipas saj, mesazhi kryesor i serialit për fuqizimin e grave dhe lirinë seksuale mbetet ende i vlefshëm.