Reperi amerikan, Sean “Diddy” Combs është liruar nga akuzat më të rënda për trafikim seksual, por kjo nuk do të thotë se manjati i dikurshëm do të përjetojë fiasko në bizneset e tij.
55-vjeçari, Combs, që është një prej emrave më të famshëm në historinë e hip-hopit, u lirua nga akuzat për krim të organizuar dhe trafikim seksual që përmbanin dënime deri në burgim të përjetshëm. Ai të mërkurën u shpall fajtor për dy pika që lidhen me veprën për transportim me qëllim të angazhimit në prostitucion, akuza që përmbajnë dënim me burgim maksimal prej 10 vjetësh.
Në vazhdimësi gjatë gjykimit, Combs u përball me pretendimet për dhunë dhe ndeja të mbushura me drogë, e të cilat i quante “freak-offs” (ndeja të çmendura).
Combs u dënua për transportin e të dashurave të tij dhe burrave të seksit, për të kryer vepra seksuale.
Combs do të mbahet në qeli deri të shpallet shkalla e dënimit.
Çfarë u ka ndodhur bizneseve të Combsit?
Para se Combs të arrestohej dhe t’i ngriheshin aktakuzat, rrjeti i tij i bizneseve kishte kolapsuar. Ai ishte larguar nga “Revolt TV”, që ishte themeluar më 2013. Rrjeti ofronte program mbi kulturën e hip-hopit, muzikën R&B dhe dokumentarë.
Ai, po ashtu, raportohej se e ka humbur marrëveshjen për një serial reality show në “Hulu” dhe marka e tij e veshjeve “Sean John” u hoq nga shitja.
Pas publikimit të pamjeve në të cilat Combs u pa fizikisht duke abuzuar me këngëtaren Casse, atë kohë e dashura e tij, më 2016, pasojat u shtuan. Qyteti i New Yorkut ia hoqi “Çelësin e Qytetit”, kompania “Peloton” u largua nga muzika e tij e Universiteti Howard e tërhoqi dekoratën e nderit.
Vitin e shkuar, Combs e zgjodhi edhe një mosmarrëveshje ligjore me “Diageon” (kompani alkooli), duke e tërhequr padinë e duke e bërë kompaninë pronare të vetme të nënkompanive “Ciroc” dhe “DeLeon”.
Muzika e paprekur
Përderisa disa biznese të tij u lëkundën ndjeshëm, muzika – tani për tani – ngeli e paprekur.
“Bad Boy Records” mund të jetë sinonim i të ’90-tave me ikona, si Notorius B.I.G., Faith Evans, Ma$e dhe 112, por Combsi e ruajti rëndësinë e tij deri para arrestimit me disa këngë të lansuara.
Më 2023, Combs e publikoi albumin “The Love Album: Off the Grid”. Ai ishte albumi i tij i parë solo në gati dy dekada. Me këtë ‘label’, projekt lansoi edhe Janelle Monae. Edhe “The Age of Pleasure” i Monaes, por edhe albumi i Combsit u nominuan për “Grammy”.
Para këtij lansimi, Combs e mori vëmendjen duke i marrë përsipër të drejtat e autorit për shumë këngëtarë e tekstshkrues me nam, disa vjet pasi u kritikua se si i menaxhoi kontratat me ta.
“Bad Boy Records” vazhdoi të operonte, por kompania është shkundur ndjeshëm nga rasti gjyqësor i Diddyt dhe deri tash nuk ka njoftuar për ndonjë lansim të madh.
Javën e shkuar, një minialbum befasues i titulluar “Never Stop”, u lansua nga i biri i tij, King Combs, dhe Ye (Kanye West) i shprehu publikisht mbështetje. Projekti u lansua nëpërmjet kompanisë “Goodfellas Entertainment”.
“Bad Boy Records” mbeti aktiv edhe në vitin 2022, duke e marrë nën menaxhim “Mainstream Sellout” të Macine Gun Kellyt. Diddy ishte producent në seritë televizive “Making the Band” dhe “Making His Band”.
A rrezikohet pasuria e Diddyt?
Combs është paditur nga dhjetëra njerëz që kanë thënë se kanë qenë viktima të abuzimit seksual a fizik. Ai tashmë i ka paguar rreth 20 milionë dollarë për ndërmjetësime me një të akuzuar – ish-të dashurën e tij, Cassie. Shumica e padive, megjithatë, mbeten të hapura. Nuk është e qartë ende se sa do të jenë të suksesshme apo se sa do t’i kushtojnë Combsit për ta mbrojtur veten në gjykatë. Combs dhe avokatët e tij i kanë mohuar të gjitha pretendimet.
Prokurorët federalë e kanë informuar gjykatën se nëse Combsi dënohet, ata do t’ia sekuestrojnë pasurinë dhe asetet, përfshirë ato që i ka shfrytëzuar për t’i kryer krimet. Nuk është e qartë ende se si do të veprojnë prokurorët dhe a është konfiskimi i pasurisë pjesë e ndonjë dënimi final.
Transmetimi i muzikës së Diddyt
Pavarësisht turbulencave gjyqësore përreth Combsit, katalogu i tij muzikor mbetet në dispozicion në shumicën e platformave të mëdha muzikore, përfshirë “Spotify”, “Apple Music” dhe “Amazon”. Asnjë nga këto platforma nuk ka folur publikisht nëse planifikon t’ia heqë muzikën apo se si e transmeton muzikën e një personi që mund të dënohej me burgim të përjetshëm për vepra të rënda.
Befasisht, muzika e tij përjetoi rritje prej rreth 20 për qind në transmetimet në mes të prillit dhe majit 2025 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte ky muaji më i suksesshëm sivjet për të, sipas “Luminate”. Numrat shpërthyen në momentet kyçe të procesit gjyqësor, përfshirë dëshmitë e dhëna nga Casie dhe Kid Cudi.
Gjithsesi, në qershor pati rënie të lehtë prej 5 deri në 10 për qind, në krahasim me një muaj më herët.
Të hyrat nga transmetimi prej muzikës janë vetëm një pjesë e vogël e të hyrave totale të reperit.
Çfarë ndodhi me bizneset e tjera?
“Sean John”, i themeluar më 1998, si biznes mode nisi të zhdukej pasi u largua nga rrjete të famshëm të shitjeve, si “Macy’s”. Nuk ka sinjale se rilansimi është në horizont.
Më 2023, Combs e lansoi “Empower Global”, treg digjital i dizajnuar për t’i forcuar bizneset me pronarë afro-amerikanë. Atë e prezantoi si “Black Wall Street” (Wall Street i zi). E mbështeti me 20 milionë euro investime të veta.
Platforma debutoi me 70 brende dhe planifikohej ta zgjeronte rrjetin e bizneseve çdo muaj, me qëllimin që të ketë më shumë se 200 deri në fund të vitit.
Gjithsesi, kur mbaroi 2023-ta, disa biznese i këputën lidhjet me “Empower Global”. Raportohej se ishin të zhgënjyera me performancën dhe për pretendimet lidhur me Combsin.