Presidenti amerikan, Donald Trump, po e shqyrton seriozisht mundësinë për t’i dhënë falje të plotë presidenciale reperit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs, përpara se ky të dënohet në muajin tetor.
Sipas një burimi nga administrata për Deadline, ideja e faljes së Combs “nuk është më thjesht një bisedë, por ka kaluar në fazën e veprimit”. Kjo vjen pak muaj pasi Combs u shpall pjesërisht fajtor nga juria federale në New York për akuzat lidhur me trafikimin për prostitucion. Ai përballet me dënim prej 20 vjetësh burg, që pritet të shpallet më 3 tetor.
Megjithatë, për shkak të rregullave të zakonshme për dënimet dhe kohës që ka kaluar tashmë në burg, ekspertët ligjorë presin që ai të dënohet më shkurt, ndoshta rreth 2 deri në 3 vjet.
“Do t’i shikoja faktet nëse dikush është trajtuar padrejtësisht”, kishte deklaruar Trump më 30 maj, kur u pyet nëse do ta falte reperin.
Ai ka shtuar se nuk i intereson nëse i pëlqen apo jo, duke thënë se nëse dikush është keqtrajtuar, do ta shqyrtonte.
Pavarësisht se avokatët e Combsit nuk kanë komentuar publikisht për faljen, disa nga bashkëpunëtorët e afërt të tij kanë lobuar në Shtëpinë e Bardhë për të ndërhyrë në rastin e artistit.
“Shtëpia e Bardhë nuk komenton për ekzistencën apo jo të ndonjë kërkese për falje”, ka thënë një zyrtar nga administrata për Deadline.
Diddy, i cili u arrestua në muajin shtator të vitit 2024 dhe që nga ajo kohë mbahet në qendër paraburgimi në Brooklyn, nuk ka mundur të lirohet me kusht, ani pse ka ofruar dorëzani prej 50 milionë dollarësh dhe kushte të rrepta kontrolli. Një pako e detajuar për lirim të përkohshëm deri në dënim ishte kërkuar nga gjyqtari Arun Subramanian, por prokuroria dhe mbrojtja nuk kanë rënë dakord.
Trump dhe Diddy njihen prej dekadash. Në vitin 2012, Trump e quajti Combsin “mik i mirë”.
“Mendoj se është djalë i mirë, do ta mbështes”, pati thënë Trump. Por Diddy u distancua kur Trump u bë president në vitin 2020 pasi mbështeti Joe Bidenin në zgjedhjet e atij viti.
P.Diddy, Maurene Comey, 50 Cent dhe Donald Trump
Reperi 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson, i cili më parë ka përkrahur Trumpin, u shpreh hapur kundër faljes për Diddyn.
“Do të kontaktoj me Trumpin që t’i tregoj si ndihem për këtë njeri”, pati shkruar ai në fund të muajit maj në rrjete sociale.
Dëshmitë kundër Diddyt në gjyq përfshinë përshkrime tronditëse të festave me drogë dhe marrëdhënie të dhunshme seksuale, të rrëfyera nga ish-partneret si këngëtarja Cassie Ventura dhe ish-stafi i tij. Gjithsesi, juria e shpalli atë të pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe bashkëpunimit kriminal, ndërsa u shpall fajtor vetëm për transport me qëllim prostitucioni.
Ky gjykim erdhi në një periudhë të tensionuar për Trumpin, i cili përballet me presion nga baza e tij politike për publikimin e dosjeve të lidhura me Jeffrey Epstein. Në të njëjtën kohë, ai ka paditur për 10 miliardë dollarë pronarin e Fox Newsit, Rupert Murdoch, për një shkrim të Wall Street Journal që e lidhte me Epsteinin.
Ndërkohë, pas vendimit të jurisë për Combsin, prokurorja Maurene Comey, vajza e ish-drejtorit të FBI-së James Comey, u shkarkua befas nga zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Jugor të New Yorkut.
“Frika është arma e një tirani, e përdorur për të shtypur mendimin e pavarur”, pati thënë ajo në deklaratën e largimit më 18 korrik.