Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua Lipa ambasadore globale e brendit “Bvlgari”

Dua Lipa

Dua Lipa ambasadore globale e brendit "Bvlgari"

Shtëpia italiane e stolive luksoze “Bvlgari” ka zgjedhur shqiptaren me famë botërore, Dua Lipa, si ambasadoren e re globale.

Lajmi u bë i ditur në Milano, ku zëvendësdrejtoresha ekzekutive e brendit, Laura Burdese, ka thënë se artistja përfaqëson vlerat thelbësore të shtëpisë, ka raportuar magazina Women’s Wear Daily (WWD).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Dua Lipa mishëron një vizion bashkëkohor të fuqizimit dhe lirisë që përputhet thellësisht me vlerat e ‘Bvlgarit’. Ajo është zë i fortë dhe autentik që ripërcakton suksesin dhe përmes artit dhe vetëbesimit të saj, frymëzon gratë në mbarë botën të përqafojnë forcën e tyre të brendshme”, ka thënë ajo.

Burdese, e cila do të marrë zyrtarisht postin e drejtoreshës ekzekutive më 1 korrik, pasardhëse e Jean-Christophe Babin, ka thënë se pret me entuziazëm “këtë kapitull të ri emocionues” së bashku me artisten.

Nga ana e saj, Lipa u shpreh se këtë e konsideron si punë jashtëzakonisht të veçantë dhe se është shumë e lumtur të jetë pjesë e një brendi që paraqet vetëbesim e feminitet.

“Është jashtëzakonisht e veçantë të punosh përkrah një brendi ikonik si ‘Bvlgari’ dhe jam shumë e lumtur të jem pjesë e një shtëpie që mishëron vetëbesimin, kreativitetin dhe feminitetin modern. Pjesët e tyre gjithmonë i japin prekjen e fundit perfekte një paraqitjeje, duke e shndërruar një veshje në një moment të vërtetë”, ka thënë Lipa.

Ajo i bashkohet ambasadoreve aktuale të “Bvlgarit”, si yjet Anne Hathaway, Lisa, Liu Yifei dhe Priyanka Chopra Jonas.

Së fundmi, Lipa kishte zgjedhur stoli “Bvlgari” në Festivalin e Filmit në Berlin, ku shoqëroi të fejuarin e saj, aktorin, Callum Turner, në tepihun e kuq për premierën e filmit “Rosebush Pruning”.

Ajo gjithashtu u shfaq me krijime të brendit në kampanjën promovuese për Lojërat Olimpike Milano Cortina 2026 për NBC Olympics & Peacock.

E njohur për aktivizmin dhe angazhimin filantropik, Lipa u përfshi nga revista Time në listën “Time 100” të 100 personave më me ndikim në botë për vitin 2024, ndërsa Billboard e renditi në vendin e 25-të në listën “Top 100 Women Artists of the 21st Century” (Top 100 Artistet e shekullit 21) për vitin 2025.

Përveç suksesit në muzikë, me shtatë çmime “Brit Awards” dhe tre çmime “Grammy”, ajo ka ndërtuar edhe një profil të fortë në modë dhe film.

Në vitin 2023 ka debutuar si aktore në filmin “Barbie” me regji të Greta Gerwig, ku interpretoi edhe këngën “Dance the Night”.

Në modë, ajo ka qenë imazh i brendeve si “YSL Beauty” dhe “Evian”, ka debutuar në pasarelë në shfaqjen pranverë 2022 të brendit të mirënjohur “Versace” në Milano, ku u përdorën këngë nga albumi i saj “Future Nostalgia”, dhe në vitin 2023 bashkëpunoi me drejtoreshën e atëhershme kreative të brendit, Donatella Versace, për koleksionin “La Vacanza”.