Yjet e muzikës pop, përfshirë Dua Lipën, Coldplay, Sam Fender, Radiohead dhe The Cure, i kanë bërë thirrje kryeministrit britanik Keir Starmer që ta mbajë premtimin zgjedhor për mbrojtjen e fansave nga tregtarët online të biletave.
Më shumë se 40 këngëtarë kanë nënshkruar një letër duke i kërkuar kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar të “ndalojë mashtrimin e fansave” dhe të vendosë kufi mbi çmimin që mund të kërkohet kur biletat rishiten.
Qeveria kishte nisur konsultim publik në janar pas ankesave të shumta nga fansat, duke thënë se do të ndërmarrë masa kundër tregtarëve që “blejnë sistematikisht bileta në tregun primar dhe i rishesin ato me çmime jashtëzakonisht të larta”.
Por shtatë muaj pasi konsultimi përfundoi, nuk ka ende ndonjë shenjë se kur mund të prezantohet ligji i ri.
Sipas një hulumtimi të ri nga revista “Which?”, disa bileta për të parë Oasis në stadiumin “Wembley” këtë verë janë shitur me çmime deri në 5 mijë euro.
Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA), biletat e shitura në tregun e dytë kanë rritje mesatare çmimi prej më shumë se 50%.
Në janar, qeveria kishte thënë se po shqyrtonte vendosjen e një kufiri çmimi deri në 30%.
Dan Smith nga grupi “Bastille” ka thënë se është çmenduri që fansat nuk janë të mbrojtur nga rritja e çmimeve, kur vende si Irlanda dhe Australia kanë futur kufizime në rishitjen e biletave.
“Nuk është për t'u habitur që ideja për kufizim çmimesh ka mbështetje kaq të gjerë nga grupet dhe artistët”, ka thënë ai.
Një zëdhënës i Departamentit të Kulturës në qeverinë britanike ka thënë se janë ende në procesin e shqyrtimit të provave nga konsultimet që u mbajtën në fillim të këtij viti dhe paralajmëroi se shumë shpejt do të përcaktojnë planet e tyre.
Në propozim gjithashtu është përmendur kufizimi i numrit të biletave që mund të ofrojnë rishitësit.