Showbiz

Fat Joe mohon akuzat për abuzim seksual me të mitur pas padisë 20 milionë dollarëshe

Fat Joe

Fat Joe

Foto: Associated Press

Reperi i njohur Fat Joe ka mohuar akuzat se ka kryer akte seksuale me të mitur. Akuzat janë bërë në një padi të ngritur nga ish-bashkëpunëtori i tij, Terrance “T.A.” Dixon.

Fat Joe, emri i vërtetë i të cilit është Joseph Antonio Cartagena, akuzohet nga Dixon për “shfrytëzim të detyruar në punë, mashtrim financiar, manipulim për marrëdhënie seksuale, frikësim me dhunë dhe kontroll psikologjik”. Dixon kërkon 20 milionë dollarë dëmshpërblim.

“Fat Joe është Sean Combs minus Tusi”, ka thënë avokati i Dixonit, Tyrone Blackburn, për The Independent, duke iu referuar edhe dënimit të Fat Joe në vitin 2013, kur kaloi katër muaj në burg për mosdeklarim të të ardhurave duke shtuar se reperi nuk ka mësuar fare nga ajo përvojë.

Fat Joe, përmes avokatit të tij Joe Tacopina, akuzat i ka cilësuar si “shpikje të plota”.

“Padia e ngritur nga Tyrone Blackburn dhe Terrance Dixon është një akt i hapur hakmarrjeje”, ka thënë Tacopina për The Independent.

“S’ka asnjë të vërtetë në këto akuza, janë gënjeshtra që synojnë të dëmtojnë reputacionin e z. Cartagena dhe ta detyrojnë të arrijë një marrëveshje nën presion publik. Z. Cartagena nuk do të frikësohet. Kemi ndërmarrë hapa ligjorë për ta zbuluar këtë fushatë mashtruese dhe për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë të përfshirët”, ka shtuar avokati.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën Federale të New Yorkut, të cilat janë parë nga The Independent, padia e Dixonit përmban 157 faqe me detaje grafike të shoqëruara me paralajmërim për përmbajtje të ndjeshme.

Dixon, i cili ka punuar si mbështetës skenik (profesion ky që në muzikën rap njihet si “hype man”) i Fat Joes për 16 vjet, akuzon reperin se e ka detyruar të përfshihet në situata poshtëruese, përfshirë akte seksuale “nën presion dhe nën mbikëqyrje”, duke e kërcënuar se do ta braktiste në vende të huaja nëse nuk pranonte.

Në padi thuhet se Dixon u detyrua të kryente më shumë se 4,000 akte seksuale për të ruajtur pozicionin e tij në atë që e quan “Enterprise”, një rrjet që përfshinte bashkëpunëtorë të ngushtë të Fat Joes si Pistol Pete, JB dhe të tjerë.

Akuzat përfshijnë edhe pretendime se Dixoni ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i marrëdhënieve seksuale të Fat Joes me vajza të mitura 15 dhe 16-vjeçare. Sipas padisë, një nga vajzat e mitura ishte një 16-vjeçare nga Republika Domenikane, një tjetër vajzë e mitur dhe një vajzë latine që e kishte takuar Fat Joe kur ishte 15 vjeç. Vajzat nuk e kanë bërë publik identitetin e tyre duke u paraqitur me pseudonimin Jane Doe 1, 2 dhe 3.

“Fat Joe filloi marrëdhënie seksuale me të miturën Jane Doe 2 kur ajo ishte vetëm 15 vjeç, pas një koncerti jashtë vendit. Ai e solli atë disa herë në New York dhe Miami. Për shkak se trupi i saj ishte akoma i papjekur, ai i pagoi një ndërhyrje kirurgjike në të pasme”, thuhet në padi. Vajza më vonë e kishte ndërprerë kontaktin me reperin dhe ishte martuar me një sportist të njohur.

Dokumentet po ashtu pretendojnë se Fat Joe ishte i dashuruar me vajzën e tretë të mitur.

“Ai i paguante të gjitha faturat të miturës Jane Doe 3 dhe e sillte shpesh në turnetë e tij, duke i siguruar edhe një apartament pranë shtëpisë së tij në Florida. Në një bisedë të incizuar, Jane Doe 3 dhe kushërira e saj 15-vjeçare përshkruajnë në detaje sa sjellje ‘e papërshtatshme’ ishte që Fat Joe, atëherë në fund të të 30-tave, të sillej ashtu me fëmijë”, thuhet në dokumente.

Sipas Dixonit, disa nga incidentet kanë ndodhur edhe në jahtet dhe vilat e kompanisë “Market America”, ku Fat Joe kishte organizuar “orgji të përsëritura” me pjesëmarrjen e Dixonit, valltareve dhe të miturave. Ai ka thënë se Fat Joe ka përdorur statusin e tij si yll për ta detyruar atë dhe të tjerët të përfshiheshin në akte poshtëruese seksuale, shpesh duke i vëzhguar ose duke i drejtuar vetë.

“Ngjarjet ndodhnin nën praninë e stafit të sigurisë, kamerave të mbikëqyrjes dhe ekipit menaxhues të Fat Joes, por askush nuk ndërhyri, gjë që tregon se këto akte ishin të mundësuara dhe të mbuluara nga i gjithë rrjeti”, thuhet më tej në padi.

Në padi gjithashtu thuhet se Dixoni nuk ka pranuar të përfshihej në këto ngjarje me dëshirë, ai ka vepruar vetëm nga frika e ndëshkimit të menjëhershëm, që përfshinte dënime financiare, sabotim profesional, braktisje në vende të huaja apo edhe dhunë fizike.

Në padi janë përfshirë edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Fat Joes, si Pete “Pistol Pete” Torres dhe Richard “Rich Player” Jospitre, që konsiderohen pjesë e këtij “rrjeti kriminal”.

Në padi përmendet edhe kompania e mirënjohur “Roc Nation”, e cila është nën pronësi të reperit të famshëm Jay-Z, kompani kjo që përfaqëson shumë artistë, përfshirë Fat Joen.

Sipas dokumenteve, “Roc Nation” ka ndihmuar në “fshehjen, transferimin dhe manipulimin” e të drejtave autoriale dhe të ardhurave të Dixonit, duke tentuar të pengojë pretendimet ndaj Fat Joes dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Kjo padi vjen disa muaj pasi Fat Joe e kishte paditur më parë Dixonin për shpifje në rrjetet sociale, pasi ky i fundit kishte pretenduar publikisht se reperi kishte trafikuar një të mitur për të kryer marrëdhënie seksuale.

Avokati i Fat Joes, Joe Tacopina, ka thënë për The Independent se padia e Dixon është “një përpjekje e dëshpëruar për të devijuar vëmendjen nga padia civile që ne e kemi ngritur të parët, e cila zbulon skemën e tyre të koordinuar për ta shantazhuar z. Cartagena me gënjeshtra, kërcënime dhe akuza të fabrikuara”.

“Ne nuk kemi paditur vetëm një ish-punonjës të pakënaqur që po mundohet të rikthejë një pretendim të rremë 15 vjet më vonë, ne kemi paditur edhe avokatin që qëndron pas kësaj historie. Tyrone Blackburn ka një histori të njohur për abuzim me sistemin gjyqësor për të ngacmuar të paditurit dhe për të tërhequr vëmendjen e mediave. Dy gjykatës federalë kanë dënuar sjelljen e tij”, ka thënë ndër të tjera Tacopina.

Nga ana e tij, Dixon është i vendosur ta çojë betejën përpara duke thënë se kjo është mënyra e duhur për ta luftuar Fat Joen.

“Duhet ta luftojmë përmes sistemit, nuk mund ta luftosh ndryshe. Joe mendon se është zot, se është i paprekshëm”, ka thënë Dixon për Variety.