Showbiz

Filmat më të shikuar të javës në Amerikën Veriore

Send Help

Kampioni i javës në arkat filmike është filmi i zhanrit triler, komedi dhe horror, të Sam Raimit, “Send Help”.

 Në javën e para të shfaqjes nëpër kinema arriti të pozicionohet në vendin e parë falë 24 milionë dollarëve të fituara nga shitja e biletave në Amerikë dhe Kanada. Në rolet kryesore në “Send Help” vijnë Rachel McAdams, në rolin e Linda Liddle, një punonjëse e nënvlerësuar dhe e pa respektuar që përfundon e bllokuar në një ishull të shkretë me shefin e saj të tmerrshëm, Bradley Preston, i portretizuar nga aktori Dylan O’Brien, pasi dyshja del të jetë e vetmja që mbijeton nga rrëzimi i një avioni. Në ishull, të dy duhet të kapërcejnë ankesat e së kaluarës dhe të punojnë së bashku për të mbijetuar, por në fund të fundit, është një betejë shqetësuese dhe me humor të errët mes vullnetit dhe zgjuarsisë për t’ia dalë mbanë. Krahas yjeve McAdams dhe O’Brien, në film luajnë edhe aktorët Bradley Preston, Edyll Ismail, Dennis Haysbert, Xavier Samuel, Chris Pang dhe Emma Raimi, e bija e regjisorit Sam Raimi.

Në vendin e dytë këtë javë renditet horrori i lansuar së fundmi, “Iron Lung”, me gjithsej 18 milionë dollarë të arkëtuara. Mark Fischbach, i njohur si Markiplier, shërben si skenarist, regjisor dhe producent ekzekutiv i “Iron Lung”. Filmi është një adaptim i një loje horror të krijuar nga David Szymanski, e publikuar në vitin 2022. Ai paraqet një premisë të veçantë ku një i dënuar, i luajtur nga Markiplier, është i bllokuar në një nëndetëse eksperimentale të ngarkuar me eksplorimin e një oqeani të mbushur me gjak. Rrëfimi mbështetet shumë në imazhe me rezolucion të ulët nga një kamera nënujore, duke shfaqur përkeqësimin mendor të protagonistit ndërsa ai lufton për mbijetesë.

I treti në listë renditet “Melania”, me 10 milionë dollarë të fituara nga shitja e biletave në javën e parë të shfaqjes nëpër kinematë e Amerikës Veriore. Filmi fokusohet në 20 ditët rreth rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe përfshin momente nga përgatitjet për inaugurimin, udhëtimet zyrtare dhe jeta personale e zonjës së parë. Melania flet edhe për humbjen e nënës së saj, Amalija Knavs, e cila vdiq në muajin janar të vitit 2024, si dhe tregon prapaskenat e zgjedhjes së veshjeve dhe organizimit të ngjarjeve. Në disa skena, presidenti Trump shfaqet duke komentuar me humor, përfshirë një moment kur mëson se do të udhëtojë drejt Capitolit me paraardhësin e tij, Joe Biden, duke thënë: “Kjo do të jetë interesante”.

 

Në vendin e katërt është pozicionuar filmi i animuar “Zootopia 2”, me 5.9 milionë dollarë të fituara ekstra, të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani prej 410 milionë dollarësh. “Zootopia 2”, me një buxhet prej 150 milionë dollarësh, është vazhdimi i filmit të vitit 2016. Në qendër të historisë rikthehen kryepersonazhet shumë të dashura nga publiku, Judy Hopps dhe Nick Wilde, të cilët e gjejnë veten në gjurmët e një zvarraniku misterioz që mbërrin në Zootopia dhe e kthen metropolin e gjitarëve përmbys. Për të zgjidhur çështjen, Judy dhe Nick duhet të infiltrohen fshehurazi në pjesë të reja të papritura të qytetit, ku partneriteti i tyre vihet në provë si asnjëherë më parë.

E top-pesëshja këtë javë plotësohet me filmin me buxhet të lartë “Avatar: Fire and Ash”, i cili pas shtatë javësh të lansimit ka arritur t’i arkëtojë edhe 5.6 milionë dollarë ekstra. Një vit pasi u sistemuan me klanin Metkayina, familja e Jake dhe Neytiri përballet me pikëllimin pas vdekjes së Neteyam. Përfundimisht, ata hasin një fis të ri dhe agresiv të quajtur “Populli Ash”, të drejtuar nga udhëheqësja e zjarrtë e fisit, Varang, e cili është bashkuar me armikun e kryepersonazhit Jake, Quaritch, ndërsa konflikti në Pandora përshkallëzohet me pasoja shkatërruese. Varang është jashtëzakonisht e zemëruar, sepse e gjithë familja e saj u dogj nga një shpërthim vullkanik. Por edhe më shumë, sepse Eywa, rrjeti nervor hyjnor që mund të shkaktojë katastrofë planetare sipas dëshirës, nuk bëri absolutisht asgjë për të ndihmuar. Kjo ka krijuar një problem intrigues në filmin e ri. Yjet e dy filmave të kaluar, Sam Worthington, Zoe Saldaña, Stephen Lang dhe Sigourney Weaver, rikthehen me rolet e tyre, derisa kasta është pasuruar edhe me aktorë të rinj.