Showbiz

Fituesit më të mëdhenj dhe momentet më të paharrueshme nga Emmy Awards 2025

Emmy Awards

Emmy Awards

Foto: Associated Press

Mbrëmja më e madhe e televizionit, ceremonia e 77-të e Primetime Emmy Awards, u mbajt në “Peacock Theater” në Los Angeles, duke sjellë fitues të mëdhenj, emocione dhe surpriza, ka shkruar ABC News.

Seriali “The Pitt” triumfon si “Drama më e mirë”

Drama mjekësore “The Pitt” u shpall seriali më i mirë dramatik, duke lënë pas konkurrentë si “The Last of Us,” “Severance” dhe “The White Lotus.”

Aktori Noah Wyle ka fituar çmimin “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në këtë serial. Në fjalimin e tij ai ka falënderuar punonjësit e ndërrimeve, veçanërisht ata në spitale.

“Për këdo që është duke hyrë në ndërrim sonte apo duke dalë prej tij, faleminderit që jeni në atë punë. Ky çmim është për ju!“, ka thënë Wyle.

Seriali “The Studio” merr çmimin “Komedia më e mirë”

Aktori Seth Rogen u ngjit në skenë i emocionuar për ta pranuar çmimin që seriali i tij “The Studio” fitoi për komedinë më të mirë. Ai mori edhe çmimin “Aktorin më i mirë në komedi”.

“Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë ai mes të qeshurash, duke falënderuar ekzekutivët.

Seriali “Adolescence” dominon në kategorinë e serialeve të kufizuara

Seriali i platformës Netflix “Adolescence”, ka fituar si prodhimi më i mirë i kufizuar, ndërsa mori edhe disa çmime për aktorët. Stephen Graham ka fituar çmimin “Aktori më i mirë”. 

“Çfarë arritëm të krijojmë ishte një familje e bukur. Qoftë numri një apo 101 në listën e aktorëve, të gjithë u respektuan. Mendoj se kështu arrihet puna më e mirë”, tha ai.

Në këtë kategori u shpërblye edhe Erin Doherty si “Aktorja më e mirë në rol dytësor.

Aktori 15-vjeçar Owen Cooper, bën histori

Ylli i ri Owen Cooper nga seriali “Adolescence” u bë fituesi më i ri ndonjëherë i çmimit “Emmy” për “Aktorin më të mirë në rol dytësor në një serial të kufizuar”.

“Qëndrimi këtu lart është… wow, aq i pabesueshëm. Sinqerisht, kur fillova mësimet e dramës para pak vitesh, nuk e prisja as të isha në Shtetet e Bashkuara, e lëre më këtu. Sonte tregohet se, nëse dëgjon, përqendrohesh dhe del nga zona jote e rehatisë, mund të arrish çdo gjë në jetë” ka thënë ai i emocionuar.

Në “Adolescence”, Cooper luan rolin e një 13-vjeçari të akuzuar për vrasjen e një vajze adoleshente.

Çmimet për aktore kryesore

Britt Lower nga “Severance” mori çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”. Ajo bëri një dedikim interesant për personazhin e saj, duke mbajtur në dorë një fletë me shënimin “Let Me Out”, një referencë për rolin e saj si Helly R.

Në kategorinë e komedisë, çmimi për aktoren më të mirë i takoi për Jean Smart nga “Hacks.”

Ndërsa Cristin Milioti fitoi “Emmyn” e parë në karrierë si “Aktorja më e mirë në një serial të kufizuar” për rolin e saj në “The Penguin.” Ajo ka thënë me humor se fjalimin e kishte shkruar mbi letrat e terapisë.

“Është shumë e vështirë të gjesh kuptimin e të jetuarit në këtë botë sot, por jam thellësisht mirënjohëse për momentet e ndritshme. Ky serial ishte një prej tyre. Të luaja këtë rol ndjehej sikur po fluturoja. Unë e dua aktrimin shumë!” - tha Miloti

Momente emocionale dhe homazhe

Segmenti “In Memoriam” u prezantua nga Phylicia Rashad, e cila nderoi kolegun e saj nga “The Cosby Show”, Malcolm-Jamal Warner, i cili u mbyt në Kosta Rika në muajin korrik.

“Edhe pse nuk janë më mes nesh, ndikimi i tyre do të mbetet përgjithmonë… drita e tyre është pjesë e industrisë sonë”, ka thënë Rashad.

Të tjerë të përkujtuar ishin aktorja e  serilait të njohur “Gossip Girl”, Michelle Trachtenberg, producenti muzikor Robin Kaye dhe kuzhinierja e njohur Anne Burrell. Performanca muzikore u dha nga Vince Gill dhe Lainey Wilson me këngën “Go Rest High on That Mountain.”

Çmime të tjera të rëndësishme

“The Late Show with Stephen Colbert” fitoi si “talk show” më i mirë.

“Dhjetë vjet më parë doja të bëja një show për dashurinë, por më vonë kuptova se ishte për humbjen”, ka thënë Colbert, ndërsa salla brohoriste emrin e tij.

“SNL50: The Anniversary Special” u shpall spektakli më i mirë i në kuadër të medias Variety, “varieté live”.

Aktorët Ted Danson dhe Mary Steenburgen u nderuan së bashku me çmimin humanitar “Bob Hope Award.”

“Ky jetë nuk është vetëm për ne. Shumë kanë ardhur para nesh dhe shumë do të vijnë pas nesh. Është përkujdesja jonë për atë që na është dhënë”, ka thënë Danson.

Ndërsa Steenburgen ka shtuar se ata bashkë kanë një detyrë të shenjtë.

“T’i kujtojmë botës ëndrrat, dështimet, guximin dhe mbi të gjitha shpresën”, ka thënë ajo.