Kristin Cabot, e cila punonte në kompaninë “Astronomer”, gruaja që u shfaq në krahët e shefit të saj, Andy Byron, në koncertin e grupit Coldplay, video që u bë virale në tërë botën, ka thënë se heshtja nuk e mbron më.
Pesë muaj pasi u shfaq pa dashje në ekranin gjigant gjatë koncertit të grupit muzikor Coldplay, në krahët e shefit të saj, ajo vendosi të flasë për herë të parë publikisht për atë që e quan “një shkatërrim total të jetës”, ka shkruar The New York Times.

Videoja, e publikuar në rrjetin social TikTok më 16 korrik 2025, u pa mbi 100 milionë herë brenda pak ditësh dhe u kthye në një skandal global që u emërtua si #coldplaygate.
Në pamje, Cabot, drejtuese e burimeve njerëzore në kompaninë teknologjike “Astronomer”, shihej duke kërcyer dhe përqafuar shefin e saj, Byron. Brenda sekondash, momenti privat u shndërrua në turp publik.
“Në fillim mendoja vetëm: O Zot, kam lënduar njerëz. Kam lënduar njerëz të mirë”, ka thënë Cabot, 53 vjeçe, duke kujtuar ditët e para pas shpërthimit të videos.
Ajo u tërhoq nga publiku për t’u përballur me pasojat më të afërta: dy fëmijët adoleshentë, punën dhe martesën e saj të dytë, që ishte në proces divorci. Por ndërkohë, rrjetet sociale shpërthyen me fyerje dhe urrejtje.
Në komente, ajo u quajt “lavire”, “shkatërruese familjesh”, “përfituese” dhe “dashnore”. Pamja e saj fizike u analizua në detaje. Figura publike të famshme, përfshirë Whoopi Goldberg dhe Gwyneth Paltrow, si edhe maskota sportive Phillie Phanatic, e përdorën rastin për humor publik.

Cabot u ekspozua publikisht me adresë dhe numër telefoni, duke marrë deri në 500–600 telefonata në ditë. Paparacët u vendosën përballë shtëpisë së saj. Ajo mori dhjetëra kërcënime me vdekje.
“Jo 900, siç u raportua. Ishin rreth 50 ose 60”, ka thënë ajo.
Edhe pse vala mediatike u zbeh, për Cabot pasojat vazhdojnë.
Fëmijët e saj hezitojnë të shfaqen në publik me të. Një grua e panjohur e ofendoi në një pikë karburanti, duke i thënë: “Nuk meriton as të marrësh frymë në të njëjtin ajër me mua”.
Në intervistën e saj të parë që nga skandali, Cabot këmbëngul se nuk kishte marrëdhënie seksuale me shefin e saj dhe se puthja e asaj nate ishte e para dhe e vetmja.
“Bëra një zgjedhje të gabuar. Piva disa pije, kërceva dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim. Dhe kjo nuk është gjë e vogël. Mora përgjegjësinë dhe hoqa dorë nga karriera ime. Ky ishte çmimi që pranova të paguaj”, ka thënë ajo.
Ajo shton se mesazhi i saj kryesor është për fëmijët.
“Dua që fëmijët e mi ta dinë se mund të gabosh rëndë në jetë, por kjo nuk do të thotë që duhet të kërcënohesh me vdekje”, ka thënë Cabot.
Pas incidentit, shefi i saj dha dorëheqje. Kompania “Astronomer” i ofroi Cabotit rikthimin në punë pas hetimit të brendshëm, por ajo vendosi të largohej, duke thënë se nuk mund ta ushtronte më rolin e saj në ato rrethana.
Në muajt që pasuan, ajo përjetoi izolim të thellë, frikë për sigurinë dhe ndjenjën se ishte bërë e panjohur për njerëzit më të afërt.

“Brenda shtëpisë ndihesha e sigurt. Jashtë, gjithçka mund të ndodhte”, ka thënë ajo.
Cabot vëren se kritikat më të ashpra kanë ardhur nga gratë.
“Ajo që kam parë këto muaj më bën të mendoj se shpesh ne jemi duke e penguar njëra-tjetrën, duke u sulmuar mes vete”, ka thënë ajo.
Ajo kundërshton fort idenë se ka “fjetur persona të caktuar për të arritur në majë”, duke theksuar se ka punuar që nga mosha 13-vjeçare dhe ka mbajtur familjen e saj financiarisht e vetme për vite me radhë.
“Kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke i larguar duart e burrave nga trupi im. Ideja që kam arritur këtu sepse ‘kam fjetur rreth e rrotull me njerëz’ më tërbon”, ka thënë ajo.
Sot, ndërsa mendon për rikthimin në jetën profesionale, ajo e di se dëmi në reputacion është i madh. Ish-kolegë të afërt janë zhdukur. Heshtja e tyre e lëndon më shumë se fyerjet në rrugë.
Në fund, Cabot thotë se nuk kërkon justifikim, por një reflektim kolektiv: pse një gabim personal u kthye në një dënim publik kaq brutal.
“Doja që dikush të ndalonte gjithçka dhe të thoshte: ‘Prisni pak. A ka vend për një version tjetër të kësaj historie?’ Sepse kjo shkoi shumë larg”, ka përfunduar ajo.