Showbiz

Gruaja e Stallones e lidh famën me shtimin e numrit të fëmijëve transgjinor

Sylvester Stallone dhe Jennifer Flavin

Sylvester Stallone dhe Jennifer Flavin

Jennifer Flavin, bashkëshortja e aktorit të njohur, Sylvester Stallone, ka komentuar për rritjen e numrit të fëmijëve të yjeve të Hollywoodit që identifikohen si transgjinorë, duke besuar se mungesa e “strukturës” dhe stabilitetit në familjet e famshme ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë dukuri.

Në një intervistë për The Katie Miller Podcast, 57-vjeçarja, ish-modele dhe biznesmene, ka thënë se jeta në Hollywood shpesh është tepër e lirshme dhe e përqendruar në vetë-shprehje, në vend se në rregulla dhe kufij të shëndetshëm për fëmijët.

“Unë mendoj se Hollywoodi është, e dini, i gjitha rreth shprehjes. Pra, sido që dëshiron të shprehesh. Nëse ndihesh si mace sot, je mace. Është gjithçka ‘tejet e lirë’”, ka thënë ajo me ironi, ka raportuar FemaleFirst.

Flavin ka shtuar se fëmijët kanë nevojë për udhëzim dhe stabilitet për t’u zhvilluar si individë.
“Nuk po kuptojmë se këta fëmijë janë qenie njerëzore të vogla që kanë nevojë për strukturë. Dhe struktura është shumë e rëndësishme, sepse ndihmon trurin e tyre të organizojë gjithçka”, ka thënë ajo.

Duke folur për jetën me bashkëshortin e saj, yllin e filmit “Rocky”, dhe tri vajzat e tyre, Sophia (29 vjeçe), Sistine (27vjeçe) dhe Scarlet (23vjeçe), ajo ka theksuar se fëmijët e prindërve të famshëm shpesh rriten në një ambient ku privilegji e zëvendëson prindërimin.

“Shtëpitë në Hollywood janë plot me staf, nën kujdes të asistentëve, dadove, kuzhinierëve e sekretarëve. Ka thjesht shumë nga gjithçka, private plane, udhëtime, luks. Dhe kjo bëhet shumë konfuzuese për një person të vogël”, ka thënë ajo.

Flavin ,ka sqaruar se nuk ka asgjë kundër mënyrës se si dikush zgjedh të jetojë si i rritur, por theksoi se fëmijët kanë nevojë të rriten me “sens të shëndoshë jetese”.

“Është në rregull të vendosësh kush dëshiron të jesh kur bëhesh i rritur. Por derisa të arrijnë aty, duhet t’i rrisim me logjikë të shëndoshë. Vajzat e mia ishin disi si djem. Preferonin pantallona, jo fustane. E donin sportin. Por unë kurrë s’u thashë, ‘Tani jeni djem’. U thosha vetëm: ‘Ju pëlqen sporti dhe shoqëria e djemve, kjo është fantastike’”, ka shpjeguar ajo.

Komentet e saj vijnë në një kohë kur disa prej figurave më të mëdha të Hollywoodit, përfshirë Robert De Niro, Charlize Theron dhe Jamie Lee Curtis, kanë folur hapur për fëmijët e tyre që identifikohen si transgjinorë ose “jo binarë” (persona që nuk identifikohen si burrë apo grua).

Curtis, për shembull, ka rrëfyer për People në vitin 2021 se u befasua kur vajza e saj më e vogël, Ruby, i tregoi se ndihet si trans në vitin 2020.

“E dija që Ruby kishte pasur të dashur, e dija që kishte përdorur fjalën ‘bi’. Por identiteti gjinor dhe orientimi seksual janë dy gjëra të ndryshme. Dhe kur e rishikova jetën e Rubyt, kuptova se kishte shenja të vogla që s’i kisha parë më herët”, ka thënë aktorja e filmit “Halloween”.