Aktorja, Halle Berry, ka konfirmuar se është fejuar me partnerin e saj Van Hunt, duke sqaruar përfundimisht thashethemet që kanë qarkulluar prej kohësh.
59-vjeçja, e cila është në një lidhje me muzikantin prej gati gjashtë vjetësh, ka treguar se Hunt i ka propozuar dhe ajo ka pranuar, megjithëse çifti ende nuk ka caktuar një datë për martesë.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, Halle sqaroi keqkuptimin që ishte krijuar më herët, ka raportuar FemaleFirst.
“Ka pasur konfuzion se ai më kërkoi të martohesha dhe unë i thashë jo. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Nuk i thashë jo. Thjesht nuk kemi një datë. Sigurisht që i thashë po! Ai madje ma vendosi edhe unazën”, ka thënë ajo.
Berry kishte treguar verën e kaluar se Hunt i kishte propozuar, por në një intervistë të fundit për The Cut ajo kishte lënë të kuptohej se ende nuk e kishte pranuar zyrtarisht.
“Nuk i kam thënë ‘po’. Nuk mendoj se duhet patjetër të jemi të martuar për të pasur një lidhje kuptimplote”, pati thënë ajo në intervistë.
Megjithatë, ajo theksonte se martesa do të kishte kuptim në raste të veçanta, si për arsye shëndetësore apo vendime ligjore të rëndësishme.
Fituesja e çmimit “Oscar” e cila ka pasur tri martesa më herët, me David Justice, Eric Benet dhe Olivier Martinez, ka theksuar se çdo ndarje ka pasur arsyet e veta.
“Pas divorcit të tretë, njerëzit filluan të thoshin: ‘Çfarë ka kjo grua? Nuk di të mbajë një burrë’. Por unë gjithmonë kam thënë: ‘Kush thotë se dua ta mbaj një burrë nëse nuk është burri i duhur?’”, ka thënë aktorja.
Sot, Berry thotë se është më e lumtur se kurrë. “Jam në lidhjen më të mirë që kam pasur ndonjëherë”, ka thënë ajo.
Edhe Hunt pati pranuar më herët se propozimi i tij ishte “pezull”.
“Propozimi është ende aty, duke notuar. Ndoshta mund ta inkurajoni”, pati thënë ai me shaka.
Berry ka dy fëmijë: Nahla, 18 vjeçe, nga lidhja me Gabriel Aubry, dhe Maceo, 12 vjeç, nga martesa me Olivier Martinez.
Aktorja pranon se, megjithëse nuk ndjejnë presion për t’u martuar, beson se kjo do të ndodhë.
“Mendoj se do të martohemi, sepse nga të gjithë njerëzit me të cilët jam martuar, ky është personi me të cilin duhet të isha martuar”, ka thënë ajo.
E pyetur se kur mund të ndodhë dasma, ajo u përgjigj shkurt: “Së shpejti”.