Harrison Ford, 83 vjeç, ka një kusht të vetëm nëse ndonjëherë do të luajë në të njëjtin film me bashkëshorten e tij, aktoren Calista Flockhart, 60 vjeç: ideja e filmit nuk duhet të vijë prej tyre.
“Nëse do të punonim bashkë, do të dëshironim që të ishte ideja e dikujt tjetër. Një kast i tillë ndoshta nuk është mënyra më e mirë për ta futur publikun në një histori të imagjinuar, sepse ata mund të thonë: ‘Ah, e dimë që janë të martuar, tani s’mund të mendojmë më për filmin’”, ka thënë Ford për Variety.

Edhe pse nuk kanë bërë asnjë film bashkë, Ford nuk e përjashton mundësinë, por thekson rëndësinë që projekti të jetë i mirë dhe natyral, jo i ndikuar nga jeta e tyre reale.

Aktori legjendar gjithashtu ka theksuar se nuk ka ndërmend të pensionohet.
“Një nga gjërat që më pëlqente te puna si aktor ishte pikërisht kjo: kanë nevojë edhe për njerëz të moshuar, që të luajnë role të njerëzve të moshuar”, ka thënë ai me humor.

Ford është nominuar së fundmi për çmimin “Emmy” për rolin e doktorit Paul Rhoades në serialin “Shrinking”, ku luan një terapist të moshuar që përballet me sëmundjen e Parkinsonit.
Në sezonin e tretë të serialit, kastit do t’i bashkohet edhe aktori Michael J. Fox, 64 vjeç, i cili është diagnostikuar me Parkinson që nga viti 1991, kur ishte vetëm 29 vjeç. Sipas Ford, kontributi i Fox ka qenë thelbësor për ta ndihmuar të kuptojë më mirë rolin.

“Ka qenë thelbësor. Guximi, qëndrueshmëria dhe hijeshia e Michaelit janë në pah. Ai është shumë i zgjuar, shumë i guximshëm, fisnik, bujar, plot pasion, një shembull për të gjithë ne, jo vetëm për ata që përballen me Parkinsonin”, ka thënë Ford.