Aktorja britanike Dame Helen Mirren, në moshën 79-vjeçare, po i inkurajon njerëzit që të përqafojnë plakjen duke nisur aktivitetin fizik që në moshë më të re.
E njohur për rolet e saj ikonike në teatër dhe kinema, Mirren është bërë pjesë e fushatës “Act Now, Age Better” të organizatës bamirëse “Age UK”, që synon përmirësimin e shëndetit të personave të moshës 50 deri në 65 vjeç, ka raportuat FemaleFirst.
“Çfarëdo që të mendoni për plakjen, është diçka që duhet ta përqafojmë, jo ta kemi frikë”, ka thënë ajo në një deklaratë zyrtare.
Aktorja ka pranuar se plakja shpesh vjen me sfida, si dhimbje trupore apo vështirësi në lëvizje, por beson se ndryshimet e vogla në stilin e jetës mund të bëjnë ndryshim të madh më vonë.
“Nuk është e nevojshme të regjistroheni në palestër. Mjafton një shëtitje e shkurtër apo pak yoga – të cilën ende e praktikoj me kënaqësi”, ka theksuar ajo.
Mirren ka shtuar se “nuk është kurrë vonë për të filluar diçka të re”, dhe ka inkurajuar njerëzit të ndërmarrin hapa të vegjël që në moshë më të re për të ndihmuar veten në të ardhmen.
Një studim i realizuar nga kompania “Kantar”, me pjesëmarrjen e mbi 2,100 britanikëve të moshës 50 deri 65 vjeç, ka zbuluar se 45% e tyre ndihen se nuk bëjnë mjaftueshëm aktivitet fizik. Shëndeti i dobët, mungesa e kohës dhe ndjenja e papërshtatshmërisë fizike ishin ndër arsyet më të përmendura.
“Edhe lëvizjet më të vogla mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin fizik dhe mendor. Të bësh aktivitet të rregullt, në mënyrën që të përshtatet më shumë, është ndër gjërat më të mira që mund të bëjmë për të ruajtur mirëqenien dhe pavarësinë në vitet që vijnë”, ka thënë Paul Farmer, drejtori i përgjithshëm i “Age UK”.