Jimmy Kimmel ka pranuar se do të donte shumë ta kishte presidentin e SHBA-së, Donald Trump, si të ftuar në emisionin e tij të mbrëmjes “Jimmy Kimmel Live!”.
Presidenti amerikan ka qenë kritik i hapur i prezantuesit 57-vjeçar, emisioni i të cilit u pezullua përkohësisht muajin e kaluar nga American Broadcasting Chanel (ABC) pas komenteve të tij për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.
Duke folur në ngjarjen “Bloomberg Screentime”, Kimmel ka shprehur dëshirën që ta ketë në emision presidentin.
“Do ta doja shumë Trumpin në emision, me siguri po”, ka thënë ai, ka raportuar FemaleFirst.
Vetëm një natë pas kthimit në ekran më 24 shtator, pas pezullimit njëjavor, Kimmel nuk i rezistoi dot tundimit për ta thumbuar sërish Trumpin gjatë monologut të hapjes.
“A e dini, shumë njerëz e kanë parë emisionin tonë mbrëmë. Mora aq shumë mesazhe nga aq shumë njerëz. Kjo më bëri të kuptoj se sa shumë nga miqtë e mi nuk e shikojnë kurrë emisionin në ndonjë kohë tjetër. Nesër, nuk do të dëgjoj nga askush. Por, mora një mesazh nga një mik shumë i veçantë”, ka thënë ai.
Kimmel iu referua postimit të Trumpit në rrjetin e tij social Truth Social, ku presidenti shkruante se “Nuk mund ta besoj që ABC Fake News ia ktheu punën Jimmy Kimmelit”.
Përgjigjja e Kimmelit ishte po aq thumbuese.
“Ti nuk mund ta besosh që ma kthyen punën? Unë nuk mund ta besoj që ta kthyen ty punën! Jemi baraz”, ka thënë ai.
Moderatori e përshkroi gjithashtu Trumpin si “një ngacmues tipik i filmave të viteve ’80”.
“Për ata që mendojnë se unë e teproj me Donald Trumpin, deri në atë pikë sa shumë njerëz ende mendojnë se duhet të më heqin nga ekrani për shkak të tij... dua ta shpjegoj diçka: unë flas për Trumpin më shumë se për këdo tjetër sepse ai është një ngacmues”, ka thënë Kimmel.
Nga ana tjetër, Trump ka kërcënuar me padi rrjetin ABC për rikthimin e Kimmelit.
“Shtëpisë së Bardhë i ishte thënë se emisioni i tij ishte anuluar! Diçka ka ndodhur që atëherë, sepse audienca e tij ka ikur dhe ‘talenti’ i tij kurrë nuk ka ekzistuar. Pse do të donin dikë që bën kaq keq, që nuk është qesharak dhe që e rrezikon rrjetin duke transmetuar 99% propagandë pro-demokratike?”, ka shkruar ndër të tjera Trump në Truth Social.
ABC kishte njoftuar më herët se emisioni i Kimmelit ishte “pezulluar përkohësisht”, por asnjëherë nuk konfirmoi se ai ishte shkarkuar.
Në muajin dhjetor të vitit 2024, kompania Disney arriti një marrëveshje për mbylljen e padisë për shpifje që Trumpi kishte ngritur ndaj ABC dhe gazetarit George Stephanopoulos, pasi ky i fundit pati thënë gabimisht se Trump ishte shpallur fajtor për “përdhunim” dhe jo për “sulm seksual”.
Ndërkohë, emisionet si “Jimmy Kimmel Live!” përjashtohen nga rregullorja e FCC për “kohën e barabartë”, që zakonisht kërkon nga rrjetet televizive të japin hapësirë të njëjtë për kandidatët e kundërt politikë.